'Të fundit në Evropë për mirëqenie'/ Dule: Ju vidhni me çdo ligj, me çdo projekt, me çdo vendim
Gjatë fjalës së tij në seancën e sotme plenare, deputeti i PD Vangjel Dule, e ka cilësuar fjalimin e Ministres së Brendshme si “të papranueshëm” dhe duke denoncuar justifikimin e dhunës brutale policore.
Nga foltorja e Kuvendit, Dule tha se forcat e rendit kanë përdorur gaz lotsjellës të skaduar ndaj protestuesve. “Keni hedhur gaz lotsjellës të skaduar. Është krim!” tha ai, duke shtuar se ai vetë ka qenë një nga viktimat e kësaj dhune.
Më tej, ai kritikoi ashpër mungesën e një ndjese apo marrjes së përgjegjësisë, duke theksuar se në vend të kësaj, mazhoranca ironizon situatën.
“Në vend që të vini përpara përgjegjësisë zinxhirin komandues, ju vini për të bërë kryetarin e grupit tuaj parlamentar të nënqeshë,” deklaroi deputeti.
Në fjalën e tij, Dule hodhi poshtë narrativën e qeverisë për një “ekonomi në lulëzim”, duke e cilësuar atë si një fasadë që fsheh një realitet të zymtë ekonomik për qytetarët. Duke cituar të dhëna konkrete, ai theksoi se Shqipëria mbetet në fund të renditjes evropiane për sa i përket mirëqenies.
Sipas tij, të ardhurat për frymë të një shqiptari janë sa 35% e mesatares së Bashkimit Evropian, ndërsa shpenzimet individuale arrijnë vetëm në 42% të mesatares së BE-së, duke e pozicionuar vendin si “të fundit në këtë tregues në të gjithë kontinentin”.
Akuzat nuk u ndalën me kaq. Deputeti Dule e përshkroi qeverisjen aktuale si një sistem të dominuar nga “spekulimi, mashtrimi, hajdutëria dhe korrupsioni”. Ai argumentoi se këto nuk janë fenomene të izoluara, por janë “të ngritura në sistem”.
Duke iu drejtuar kolegëve deputetë, Dule bëri thirrje për reflektim dhe ndërgjegje, duke i pyetur se si do t'ua shpjegojnë qytetarëve rritjen galopante të çmimeve.
Ai vuri në dukje diskrepancën e madhe të çmimit të karburantit në Shqipëri (1.7 euro) krahasuar me vendet anëtare të BE-së si Bullgaria (1.4 euro) dhe Rumania (1.5 euro). Fjalimin e tij ai e mbylli me një pyetje retorike therëse: “Për sa kohë ju mendoni se maska e bamirësit mund të fshehë fytyrën e mashtruesit dhe të grabitësit?”
Deklarata e plotë:
“E nderuar kryesuese e seancës, të nderuar kolegë. Ndryshe e kisha konceptuar diskutimin në këtë seancë, por pas fjalës së ministres së Brendshme, dëshiroj që të shprehem ndryshe. Me gjithë respektin institucional, zonja ministre, ishit e papranueshme.
Nuk mund të vini dhe të justifikoni dhunën brutale të ushtruar nga policia. Një nga viktimat e asaj dhune është edhe folësi nga ky podium. Keni hedhur gaz lotsjellës të skaduar. Është krim!
Në vend që të kërkoni një ndjesë dhe të vini përpara përgjegjësisë zinxhirin komandues që dhanë urdhra të papajtueshëm me ligjin dhe Kushtetutën, vini dhe silleni sikur situata nuk ekziston. Nuk është hera e parë që individë dhe segmente të forcave të sigurisë devijojnë nga detyrat e tyre kushtetuese.
Edhe në sallën e Kuvendit, disa prej forcave të sigurisë ngatërrojnë rolin e tyre me atë të militantit partiak, duke u kundërvënë në mënyrë personale parlamentarëve.
Ne vijmë këtu me një ndërgjegje dhe kemi detyrimin përballë Kushtetutës, përpara çdo detyrimi ndaj kujtdo tjetër. Reflektoni, sepse jeta politike nuk mbaron me një mandat qeveritar. Shikoni paraardhësit tuaj në atë post. Me këtë dëshironi të ikni edhe ju?
Kur një fëmijë 14-vjeçar del dhe thotë se është goditur nga forcat policore, ju na thoni se është shoqëruar sipas rregullave. Duhej urgjentisht të urdhëronit kontroll administrativ.
Diskutojmë një akt normativ që tregon se qeveria improvizon. Buxheti rishikohet jo një herë, por disa herë në vit. Flisni për rritje ekonomike, por cili është qëllimi i ekonomisë? Shifrat apo mirëqenia e qytetarëve?
E ardhura për frymë e qytetarit shqiptar është 35% e mesatares së Bashkimit Evropian. Shpenzimet individuale me fuqinë blerëse janë 42% e mesatares së BE-së. Të fundit në Evropë. Për çfarë arritjesh flitet pas 13 vitesh në qeveri?
Familjet në nevojë i gjetët keq në 2013 dhe më keq po i lini në 2026. Vetëm spekulim, vetëm mashtrim, vetëm hajdutëri, vetëm korrupsion – të ngritura në sistem. Ju vidhni me çdo ligj, me çdo projekt, me çdo vendim.
Me rritjen galopante të çmimeve, sa të ardhura shtesë nga TVSH-ja pati buxheti? Sa shkuan për shtresat në nevojë, për pensionistët, për qytetarin e thjeshtë?
Si ua shpjegoni qytetarëve se në Bullgari karburanti shitet 1.4 euro, në Rumani 1.5, ndërsa në Shqipëri 1.7? Për sa kohë mendoni se maska e bamirësit do të fshehë fytyrën e mashtruesit dhe grabitësit?”