Buxheti 2025/ Ndoja - Mazhorancës: Po përdorni metoda antikushtetuese për të ndryshuar ligjin!

Në një seancë plenare të tensionuar, deputeti i opozitës, Ajan Ndoja, ka lëshuar akuza të rënda ndaj mazhorancës, duke argumentuar se qeveria po përdor metoda antikushtetuese për të ndryshuar ligjin e buxhetit të shtetit. Fjala e tij në Kuvend preku dy pika kryesore: shkeljen e procedurave kushtetuese dhe paralizën e institucioneve nga frika e SPAK-ut.

Fillimisht, deputeti Ndoja denoncoi gjuhën fyese të përdorur në sallë, duke e cilësuar atë si një përpjekje për të prishur seancën dhe një mungesë respekti ndaj institucionit. Më pas, ai u përqendrua në thelbin e çështjes, duke sfiduar kolegët e Partisë Socialiste mbi ligjshmërinë e përdorimit të një akti normativ për të modifikuar buxhetin.

Sipas tij, qeveria nuk mund të ndryshojë me një akt normativ një ligj të miratuar nga Kuvendi, siç është ai i buxhetit. "A mundet që me një akt normativ qeveria të ndryshojë një ligj që është ligji për buxhetin e shtetit?", pyeti ai në mënyrë retorike. Ndoja theksoi se kjo praktikë është një shkelje e hapur e parimit të ndarjes së pushteteve, ku ekzekutivi ndërhyn në kompetencat e legjislativit.

Ai e quajti këtë një "gabim shumë të madh" dhe një "praktikë parlamentare në kundërshtim me praktikën kushtetuese". Më tej, deputeti zbuloi arsyen, sipas tij, se përse fondet buxhetore kanë mbetur pa u shpenzuar, duke detyruar qeverinë të ndërmarrë veprime të tilla. "Një ndër arsyet është fakti që institucionet kanë frikë që të tenderojnë dhe të aplikojnë fondet, për shkak se është SPAK-u në lojë, drejtësia," deklaroi ai.

Në këtë mënyrë, Ndoja vuri në dukje një paradoks: reforma në drejtësi, e trumbetuar si një nga fitoret kryesore të Partisë Socialiste, ka krijuar një klimë frike që pengon funksionimin normal të administratës. 

Të nderuar kolegë, ne po dalim jashtë objektit të diskutimeve tona. E para, gjuha është fyese nga të gjithë kolegët që po flasin. Ka nene në rregullore që duhet të tërhiqet vëmendja. Unë me të thënë të drejtën nuk e, nuk është se më drejtohet ndonjë nga ato fjalët mua, por nuk e quaj të arsyeshme se s'është në respekt as të sallës, as të seancës plenare. E kemi përsëritur disa herë, këtu kalohet në fyerje personale thjesht për të prishur seancën.

Është shumë e thjeshtë për të diskutuar për dy elementë kryesorë ligjorë dhe do kisha dëshirë t'ia bëja pyetjen të gjithë kolegëve të Partisë Socialiste, problem ligjor në lidhje me këtë që po diskutojmë. A mundet që me një akt normativ qeveria të ndryshojë një ligj, që është ligji për buxhetin e shtetit që e kemi miratuar siç miratuam këtë të vitit që po jemi në ushtrim? Pra e kemi thënë dhe në Komision të Ligjeve, kanë qenë dhe përfaqësuesit e Ministrisë së seancave dhe e kanë, kanë pohuar që na qenka shpikur një praktikë parlamentare e cila është kundërshtim me praktikën kushtetuese. Pra problem krejt ligjor.

Ky është gabim shumë i madh. Kushdo që është jurist besoj që mund ta bëjë dallimin mes neneve përkatëse. Ne s'e diskutojmë fare. Ne themi, kemi ca lekë të cilat nuk janë shpërndarë sipas buxhetit të shtetit. Për arsye të caktuara. Një ndër ato është fakti që institucionet kanë frikë që të tenderojnë dhe të aplikojnë fondet, për shkak se është SPAK-u në lojë, drejtësia, e cila ne e kemi kërkuar dhe Partia Socialiste e thotë si trumbetim, një ndër fitoret kryesore të saj. Ndërkohë që ne bëjmë akt normativ, akt normativ dhe ndërhyjmë me akt normativ që është rast i jashtëzakonshëm, ndërhyjmë në mënyrë antikushtetuese për të ndryshuar një ligj që është miratuar këtu në Kuvend. Pra qeveria, një ndër pushtetet e pavarura, ndërhyn tek legjislativi.