Dimal/ Temperatura të ulëta dhe shkolla pa ngrohje: Nxënësit mësojnë me xhupa në klasë
Mungesa e ngrohjes në disa shkolla 9-vjeçare të bashkisë Dimal po vë në rrezik shëndetin dhe procesin mësimor të nxënësve. Prindërit ankohen, ndërsa drejtuesit e shkollave refuzojnë të flasin.
Temperaturat e ulëta të këtij dimri kanë nxjerrë në pah problematika serioze në disa shkolla 9-vjeçare të bashkisë Dimal, ku sistemi i ngrohjes nuk funksionon ose nuk vihet në përdorim. Situata më problematike raportohet në shkollat e fshatrave Çiflik, Arrëz, Poshnje, Samaticë, si edhe në zona të tjera rurale.
Nxënësit tregojnë se, pavarësisht se në shkolla ekzistojnë kaldaja apo soba me dru, ato ose nuk ndizen fare, ose funksionojnë vetëm për pak orë gjatë ditës. Si pasojë, fëmijët detyrohen të qëndrojnë në klasa të veshur me xhupa, kapuçë dhe dorashka, duke e pasur të vështirë edhe shkrimin gjatë orës së mësimit.
“Është shumë ftohtë. Rrimë gjithë kohën me xhupa dhe nuk shkruajmë dot,” shprehen nxënësit.
Sipas tyre, sobat me dru ndizen “me pikatore” dhe vetëm në raste të rralla, ndërsa ankesa ndaj mësuesve apo drejtuesve të shkollës mungon, pasi nxënësit thonë se kanë frikë të flasin. Madje, sapo shohin praninë e kamerave, largohen me vrap.
Në disa raste, prindërit kanë çuar rezistenca elektrike në klasat e fëmijëve të tyre për të përballuar të ftohtin, por ato nuk janë lejuar të ndizen, me justifikimin se rrisin konsumin e energjisë elektrike.
Prindërit shprehen të shqetësuar se mungesa e ngrohjes ka sjellë sëmundje të shpeshta tek fëmijët, duke i detyruar disa prej tyre t’i largojnë nga shkollat publike dhe t’i regjistrojnë në shkolla private, ku – sipas tyre – nuk mungojnë as ngrohja, as kushtet dhe as higjiena.
Të kontaktuar nga mediat, drejtues të shkollave refuzuan të japin informacion mbi situatën, ndërsa në disa raste kanë urdhëruar edhe rojet e shkollave të largojnë gazetarët, me pretendimin se po “shqetësonin nxënësit”.