‘M’u errësuan sytë’/ Plagosi vajzën në Durrës, dëshmia e babait: Isha nën efektin e alkoolit, më shpërfillte dhe injoronte!
56- vjeçari Mikel Ndoj që u arrestua të hënën e 26 janarit pasi plagosi vajzën e tij me thikë dhe një person tjetër, në dëshminë e tij në polici ka deklaruar se ka qenë i dehur dhe në gjendje të rënduar psikologjike.
Ai ka shtuar se kishte si qëllim që të ribashkohej me familjen, porse vajza e tij ishte kundër.
“Isha në gjendje të rënduar psikologjike dhe nën efektin e alkoolit”.
Kështu e ka justifikuar sulmin me thikë ndaj vajzës së tij dhe kolegut të saj të punës, ngjarje e ndodhur të hënën në qytetin e Durrësit, në lagjen 12.
“Shkova te vendi i punës së vajzës pasi nuk po më përgjigjej në telefon. Dua të ribashkohem me familjen por vajza ka ndikuar negativisht. Nuk donte të kishte të bënte më me mua, më shpërfillte, më injoronte. Shkova për t’i thënë se doja të bisedoja me të, por më tha se nuk dua të kem asnjë lidhje me ty, për mua nuk ekziston më. Në këtë moment mu errësuan sytë, i thash hajde dalim pak përjashta që të flasim. Ajo më shtyu. Nuk mbaj mend më se çfarë ndodhi. Ishte edhe një djalë aty që ndërhyri në ato momente. Teksa po tentonte të më largonte u pre nga thika edhe ai. Me pas ika dhe u fsheha diku afër repartit zjarrfikës. Aty e kuptova çfarë kishte ndodhur. Unë isha në gjendje të rënduar psikologjike dhe kisha konsumuar alkool. Më vjen shumë keq për atë që ndodhi. Jam penduar shumë. U kërkoj falje vajzës dhe djalit që u plagos. Djalin nuk e njihja fare. Nuk di çfarë të them, ndihem shume keq“, ka deklaruar Mikel Ndoj para oficerëve të policisë së Durrësit.