'Tre orë udhëtim çdo ditë, rroga nuk mjafton'/ Punonjësit e Hipotekës Vlorë kundër vendimit të transferimit në Tiranë

Një vendim i befasishëm për transferimin e Kadastrës së Vlorës në Tiranë ka shkaktuar pakënaqësi dhe pasiguri tek punonjësish, të cilët kanë ngritur zërin kundër asaj që e cilësojnë një lëvizje të padrejtë dhe të pakoordinuar.

Punonjësit shprehen për mediat se vendimi është marrë pa asnjë paralajmërim apo informacion paraprak mbi mënyrën se si do të menaxhohen kushtet e reja të punës, veçanërisht transporti dhe logjistika.

“Është krejt ndryshe. Ne nga sot nesër nuk e dimë ku të vemi, ku do të flemë në Tiranë, do vemi e do vijmë”, deklaron një prej tyre.

Një nga shqetësimet kryesore lidhet me sfidat praktike dhe financiare. Me trafikun aktual, udhëtimi vajtje-ardhje do të zgjaste të paktën tre orë çdo ditë, një barrë e konsiderueshme kohore dhe fizike.

Për më tepër, lind pyetja nëse rrogat e tyre aktuale do të jenë të mjaftueshme për të përballuar shpenzimet shtesë të transportit dhe jetesës në kryeqytet.

“Na mjafton rroga për të përballuar të gjitha këto shpenzime? Nuk e dimë”, shtojnë ata, duke shprehur ankthin për të ardhmen.

Përballë kësaj situate, punonjësit po reagojnë duke kërkuar që vendimi të rishikohet. Ata theksojnë se kërkesa e tyre e vetme është të vazhdojnë punën si më parë, në vendin ku kanë shërbyer për vite me radhë.

Sipas tyre, angazhimi profesional nuk ka munguar kurrë, madje duke punuar edhe jashtë orarit zyrtar dhe gjatë fundjavave.

“Ne nuk kemi munguar asnjëherë nga ana profesionale. Kemi punuar edhe deri në orën 2 të natës. Nëse ka një ngërç, ai nuk qëndron te ne”, pohojnë punonjësit, duke lënë të kuptohet se problemi nuk buron nga performanca e tyre, por nga vendime administrative të pamenduara mirë.

Sakaq, kujtojmë se  punonjësit kanë marrë mbështetje nga zëvendësdrejtori i Ashk Vlore Sokol Shehaj. Megjithatë, sipas të njëjtave burime, pas kësaj mbështetjeje mësohet se zyrtari në fjalë është shkarkuar nga detyra.

Deklarata për media: 

"Kam filluar në 2014-ën me një shkëputje të vogël dyvjeçare dhe u riktheva në 2000, para dy-tre vjetësh. . Plotësojnë të gjitha kushtet e punës, s’kemi marrë asnjë lloj,  paralajmërimi, asnjë lloj informacioni se si do funksionojë transporti, kushtet e punës.

Është krejt ndryshe nga gjithë. Ne nga sot, nesër nuk e dimë ku të vemi, ku do, do flemë në Tiranë, do, do vemi do vijmë. Janë të paktën me trafikun aktual, janë të paktën tre orë.

Na mjafton rroga për të përballuar të gjitha këto shpenzime? Nuk e dimë. Presim të vazhdojmë punën siç e kemi bërë tërë kohës. Nuk ka munguar në Vlorë, nuk ka munguar asnjë gjë.

Ne kemi ardhur edhe të shtuna. Kemi ardhur edhe të shtunën. Ne nuk kemi, ne nuk kemi munguar asnjëherë nga ana profesionale.

Domethënë, në qoftë se ka një ngërç, nuk është ngërçi te ne. Në asnjë moment nuk ka qenë. Ne kemi qenë ata që kemi punuar dhe deri në orën 2 të natës. E dinë të gjithë. Problemi, problemi nuk qëndron te ne".