'Dhuna nga policia dhe përdorimi i lëndëve të skaduara', Bardhi: Ilir Proda, ushtar i Suel Çelës dhe klanit të Troplinëve
Gjatë fjalës së tij në seancën plenare, Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazmend Bardhi, ka hedhur akuza të forta ndaj Ilir Prodës, duke e lidhur atë drejtpërdrejt me krimin e organizuar.
Bardhi e ka quajtur Prodën "ushtar të Suel Çelës dhe klanit të Tropojanëve", duke theksuar lidhjet e tij me grupet kriminale të njohura. Ai ka kërkuar llogaridhënie për dhunën policore dhe arrestimin e qytetarëve, duke theksuar se përdorimi i lëndëve të skaduara ka shkaktuar probleme shëndetësore te qytetarët dhe deputetët.
Ai listoi edhe projektligjet që mazhoranca synon të tërheqë, duke përfshirë ndryshimet në Kodin Penal, të cilat kundërshtohen nga organizatat e gazetarëve, ligjin për lobimin, ligjin për shitjen e armëve, si dhe një ligj që, sipas tij, ngushton hapësirën për komisionet hetimore parlamentare, një e drejtë kushtetuese e opozitës.
Fjala e tij:
E para njëherë, tregon sa serioz jeni ju, zoti kryetar i Kuvendit, sepse propozimi që vjen nga grupi parlamentar i PS-së është, heqim ligjet nga rendi i ditës, se do të duhet t'i konsultojmë me Komisionin Europian. Kjo ishte arsyeja e dhënë për të hequr katër projektligje nga rendi i ditës së seancës plenare. Që do të thotë, ju nuk jeni kujdesur minimalisht si kryetar i Kuvendit, që përpara se të hartoni rendin e ditës, të kontrolloni procedurën parlamentare nëse ka apo jo konsultim me Komisionin Europian. Dhe tregon se si e përgatisni ju rendin e ditës.
Së dyti, neni 31 që referuat i referohet shtimit të rendit të ditës, jo pakësimit të rendit të ditës. Kështu, kërkesa e bërë nga kolegët nuk bazohet në nenin 31, sepse 31-shi është për të diskutuar çështje të tjera jashtë rendit të ditës. Dhe kërkesa që paraqiti kolegu Blushi është në përputhje me nenin 31, dhe nuk ka nevojë me shkrim; mjafton ta paraqesë një grup parlamentar edhe në seancë dhe mbështetet me ngritjen në këmbë të deputetëve, që ministrja e Brendshme të japë llogari për dhunën policore ndaj qytetarëve të pafajshëm, nga policia e drejtuar nga një kryekriminel si Ilir Proda, një ushtar i Suel Çelës dhe klanit të Troplinëve.
Kjo është një kërkesë procedurale që ju duhet ta hidhni në votim. Duhet të japë shpjegim për përdorimin e lëndëve të skaduara, sepse edhe sot që flasim kemi probleme me frymëmarrjen për shkak të një akti kriminal të policisë, drejtuar nga zonja. Edhe pse i kanë thënë të merret me zjarrfikëset, se Ilir Proda është përgjegjës sa i takon policisë. Është krimi i organizuar mbi të, por kjo është një kërkesë që ju duhet ta hidhni në votim.
Sa i takon kërkesës së tyre, nuk ka bazë ligjore. Nëse duhet të hiqet nga rendi i ditës, sepse propozimi i tyre është ky, do të duhet të hiqet Kodi Penal, ku të gjitha shoqatat dhe organizatat në mbrojtje të gazetarëve janë kundër. Duhet hequr ligji për lobimin, duhet hequr ligji për shitjen e armëve dhe duhet hequr ligji që ngushton hapësirën për komisionet hetimore, një e drejtë kushtetuese e opozitës.