VIDEO/ Protestat kundër ICE, grupi i Sorosit vandalizoi hotelin në Minneapolis

Nga Jessica Costescu, FREE BEACON

Hoteli në Minneapolis, që u shkatërrua gjatë natës nga dhunuesit anti-ICE (Agjencia e Doganave dhe Emigracionit), ishte në një listë objektivash të krijuar nga dega e ‘Twin Cities’ e ‘Sunrise Movement’, një grup radikal i financuar nga disa nga organizatat më të njohura jofitimprurëse në vend, përfshirë ‘Open Society Foundations’ të George Soros, ‘Ford Foundation’ dhe ‘MacArthur Foundation’.

Pamjet tregojnë dhjetëra protestues të dhunshëm anti-ICE që sulmuan ‘Home2 Suites by Hilton’ pranë Universitetit të Minnesota-s të dielën vonë në mbrëmje. Grupi përdori zhurmues dhe goditi koshat e plehrave para se të bëhej i dhunshëm—dhunuesit hodhën sende ndaj njerëzve, thyen dritaret, shkatërruan fasadën e hotelit, ndezën fishekzjarrë dhe lanë grafiti mbi ndërtesë. Teksa u përpoqën të hyjnë me forcë, të pranishmit brenda u detyruan të përdorin dy makina shitjesh për të bllokuar hyrjen e hotelit.

Lista e ‘Sunrise’, e shqyrtuar nga ‘Washington Free Beacon’, përfshin afërsisht 70 hotele në zonën e ‘Twin Cities’ që grupi pretendon se strehojnë agjentë të ICE. Ajo u përditësua të shtunën— shumë para sulmit ndaj ‘Home2 Suites’- dhe përfshin emrat e hoteleve, adresat, numrat e telefonit dhe madje numrin "e dyshuar" të agjentëve të ICE që ndodhen në secilën vendndodhje.

Departamenti i Sigurisë Publike i Minnesota-s tha se oficerët shtetërorë reaguan ndaj trazirave në hotel, por shtoi se ata "nuk ishin më në vendngjarje" pasi agjentët federalë "përdorën irritantë kimikë për të shpërndarë grupin". Një oficer federal, i lënduar nga një dhunues që hodhi një objekt ndaj tij, pyeti gazetarët në vendngjarje: "Ku është policia lokale? Kjo është pyetja ime për shtypin". Komisioneri i Doganave dhe Mbrojtjes Kufitare, Rodney Scott, konfirmoi të hënën pasdite se oficerët federalë ishin në ndërtesë, duke e quajtur sulmin "një sulm ndaj forcave të rendit".

Protestat dhe trazirat kanë kapluar Minneapolis veçanërisht pas një incidenti ku një agjent federal qëlloi dhe vrau Renee Good, një aktiviste anti-ICE, më 7 janar. Trazirat e së dielës shpërthyen një ditë pas një incidenti tjetër ku një agjent i qëlloi dhe vrau Alex Pretti, një aktivist anti-ICE i armatosur, gjatë një operacioni federal për arrestimin e një shtetasi ekuadorian, Jose Huerta-Chuma, i cili sipas autoriteteve kishte një histori kriminale që përfshinte sulm në familje, sjellje të çrregullt dhe drejtim pa patentë. DHS tha se Pretti iu afrua oficerëve i armatosur me një pistoletë 9mm dhe i rezistoi përpjekjeve për ta çarmatosur, duke detyruar një agjent të qëllojë në vetëmbrojtje, ndërsa videot e publikuara nga kalimtarët tregonin Pretti-n duke u përleshur me disa oficerë në tokë kur u qëllua.