Zjarri në fabrikën në Trikala/ Gjendet trupi i gruas së pestë, skenarët se si u shkaktua shpërthimi i madh
Trupi i gruas së pestë që mungonte pas shpërthimit dhe zjarrit që shpërtheu dje në fabrikën e biskotave Violanta në Trikala u gjet herët të martën në mëngjes.
Bëhet fjalë për Agapi Bounova, e cila, sipas informacioneve, ishte bashkëshorte, nënë dhe gjyshe. Gruaja fatkeqe u gjet pranë trupave të tre grave të tjera, të cilat ishin gjetur të parat. Në total, shpërthimi vdekjeprurës në fabrikë mori jetën e pesë punëtorëve.
Tragjedia ndodhi në orët e para të mëngjesit të së hënës, kur zjarri shpërtheu pak para orës 4:00 në një krah të fabrikës se biskotave në Trikala, të Greqisë.
Sipas Departamentit të Zjarrfikësve, kjo u parapri nga një shpërthim i fuqishëm, i cili kontribuoi në shembjen e pjesës më të madhe të fabrikës dhe la pesë gra të bllokuara brenda.
Nga 13 punëtorët që ndodheshin në fabrikë në atë kohë, tetë arritën të evakuoheshin në mënyrë të sigurt, ndërsa pesë gratë ishin të zhdukura dhe po kërkoheshin menjëherë pas incidentit.
Departamenti i Zjarrfikësve dhe Ekipi i Reagimit ndaj Emergjencave, me ndihmën e pajisjeve të ndërtimit, gjetën dje trupat e katër grave, ndërsa e pesta u gjet sot. Autoritetet po shqyrtojnë të gjitha mundësitë për shkakun e shpërthimit.