Doncic spektakolar me Lakers, Bostoni bind në shtëpi, Cleveland dhe Houston mbajnë ritmin në zonën 'play off”
Los Angeles Lakers vijojnë momentin pozitiv në NBA, duke marrë një fitore të rëndësishme 129-118 në fushën e Chicago Bulls. Protagonist absolut i mbrëmjes ishte Luka Doncic, i cili zhvilloi një paraqitje të jashtëzakonshme me 46 pikë dhe 11 asiste, duke i udhëhequr “Liqenorët” drejt suksesit të dytë radhazi. Kontribut të rëndësishëm dha edhe LeBron James, që shtoi 24 pikë dhe eksperiencën e tij vendimtare në momentet kyçe të sfidës. Ndeshja mes dy rivalëve historikë ishte e luftuar dhe me ritëm të lartë, por në fund cilësia individuale bëri diferencën.
Pa surpriza në Boston, ku Celtics fituan 102-94 ndaj Portland, duke kontrolluar takimin në pjesën më të madhe të tij. Në këtë sfidë u dallua Payton Pritchard, autor i 23 pikëve, ndërsa Bostoni vazhdon të qëndrojë mes skuadrave më konstante të Konferencës Lindore.
Zhgënjim për Golden State Warriors, që pësuan një humbje të thellë 108-83 ndaj Minnesota Timberwolves. Vendasit dominuan takimin, me 44 pikë të ardhura nga stoli, duke nxjerrë në pah vështirësitë aktuale të Warriors.
Në Perëndim, Houston Rockets u ngjitën në vendin e katërt pas fitores 108-99 ndaj Memphis. Dyshja Kevin Durant dhe Alperen Sengun ishte vendimtare, me nga 33 pikë secili. Ndërkohë, Cleveland Cavaliers, të udhëhequr nga një Donovan Mitchell i papërmbajtshëm me 45 pikë, mposhtën 114-98 Orlando Magic, duke konsoliduar pozitat në zonën “play off”.
Rezultatet:
Atlanta – Indiana 132-116
Charlotte – Philadelphia 130-98
Cleveland – Orlando 114-98
Boston – Portland 102-94
Chicago – Lakers 118-129
Houston – Memphis 108-99
Minnesota – Golden State 108-83