Botës i shtohet një tjetër pasiguri e madhe/ ‘Tërmeti’ në elitën ushtarake kineze lidhet me Tajvanin
Nga Linus Broll, BILD
Spastrim total në prapaskenë!
Kreu i shtetit kinez po bën një valë pastrimi pa precedent brenda Ushtrisë Popullore Çlirimtare (PLA). Ndërkohë që zyrtarisht flitet për “modernizim”, çdo javë zhduken ushtarakë të lartë të Komisionit Qendror Ushtarak (CMC). Gati e gjithë hierarkia e mëparshme është dobësuar dhe shpërbërë.
Ajo që zyrtarisht shfaqet si një fushatë kundër “mungesës së disiplinës”, kur e shikon më nga afër, ngjan si një spastrim politik me përmasa historike. Nga gjashtë ushtarakët e lartë që në vitin 2022, së bashku me Xi, duhej të udhëhiqnin vendin, pothuajse të gjithë janë zhdukur nga skena publike.
Li Shangfu (67 vjeç, ish-Ministër i Mbrojtjes): Ishte funksionari i parë i shkarkuar, zhdukja e të cilit gjatë verës së vitit 2023 tërhoqi vëmendje të madhe. Më vonë u shkarkua zyrtarisht për korrupsion në fushën e prokurimeve.
Miao Hua (70 vjeç, ish-Kreu i Punës Politike): Ideologu kryesor i ushtrisë u pezullua në fund të vitit 2024. Rasti i tij tregoi se besnikëria absolute ndaj linjës nuk ofron më mbrojtje.
He Weidong (68 vjeç, ish-Zëvendës Kryetar i CMC): Humbi të gjitha postet në tetor 2025 dhe u përjashtua nga Partia Komuniste. Ai akuzohet për krijimin e “fraksioneve të veta” brenda ushtrisë – një akt tradhtie e rëndë në Kinën e Xi.
Zhang Youxia (75 vjeç) & Liu Zhenli (61 vjeç): Viktimat më të fundit të tërmetit. Që nga 24 janari 2026 është konfirmuar se po hetohen për “shkelje të rënda të ligjit”. Dyshohet për tradhti masive të sekretit në fushën e forcave strategjike bërthamore.
Eksperti për Kinën dhe autor i librave best-seller, Adrian Geiges, bën një krahasim drastik: “Nga rëndësia, këto ngjarje janë të barabarta me shkarkimin dhe arrestimin e Ministrit të Mbrojtjes, Pistorius, tek ne”.
Ndërsa një ngjarje e tillë në Perëndim do të dominonte mediat për javë të tëra, Pekini publikon vetëm tekste të shkurtra standarde. Thjesht thuhet se “do të luftojmë dhe do të fitojmë luftën kundër korrupsionit në ushtri” për gjeneralët Zhang Youxia dhe Liu Zhenli.
Geiges, që ka studiuar në Pekin, ka jetuar dhjetë vjet në këtë vend dhe ka raportuar atje si korrespondent i jashtëm për revistën Stern, vlerëson se pas akuzave zyrtare – nga eskapadat e haremit deri te shitja e sekretëve bërthamorë – qëndrojnë motive kryesisht politike.
Xi Jinping dëshiron të dërgojë një mesazh të qartë para kongresit të ardhshëm të partisë: “Kush më sfidon mua, është i humbur. Mund të ndodhë me këdo, edhe me dikë si Zhang Youxia, gjenerali më i lartë në Kinë dhe shoku i fëmijërisë së Xi Jinping”.
Komponenti strategjik është gjithashtu shqetësues. Ndoshta gjeneralët u spastruan sepse kishin paralajmëruar kundër një sulmi ndaj Tajvanit.
Geiges paralajmëron për pasojat e kësaj atmosfere frike: “Ndoshta Xi Jinping beson se në një klimë të tillë frike, pa kundërshtime nga radhët e tij, mund të sulmojë Tajvanin”.
Me gjithë spekulimet e egra në rrjetet sociale për të shtëna ose një grusht shteti, situata duhet vlerësuar me kujdes. Sipas Geiges, ndërsa në historinë e Kinës ka pasur herë pas here përplasje të dhunshme për pushtet, “aktualisht nuk ka dëshmi për të shtënat ose një grusht shteti në zhvillim”.
Vetëm një aktor në fotot e provës ka mbetur i paprekur: Zhang Shengmin. Si kreu i komisionit disiplinor brenda ushtrisë, ai është krahu i zgjatur i Xi. Ai po udhëheq hetimet kundër shokëve të tij dhe po përgatit rrëzimin e tyre me kujdes.
Në fund, mbetet të shihet nëse Xi do të dalë më i fortë apo më i dobët nga ky spastrim total. Por për Adrian Geiges është e sigurt: “Një pasiguri e madhe tjetër është shtuar në botën e sotme”.