Trump rrit tarifat ndaj Koresë së Jugut: 25% për importet, Seuli kërkon bisedime urgjente
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka njoftuar se do të rrisë tarifat për importet e Koresë së Jugut në 25%, pasi akuzoi Seulin se nuk po i përmbahet marrëveshjes tregtare të arritur vitin e kaluar.
Në një postim në rrjetet sociale, Trump tha se do të rriste taksat ndaj Koresë së Jugut nga 15% për një gamë produktesh, duke përfshirë automobila, lëndë druri, produkte farmaceutike dhe të gjitha tarifat e tjera reciproke.
Presidenti i SHBA tha se ligjvënësit e Koresë së Jugut kanë qenë të ngadaltë në miratimin e marrëveshjes, ndërsa “ne kemi vepruar shpejt për të ulur tarifat tona në përputhje me transaksionin për të cilin është rënë dakord”.
Nga ana tjetër, Koreja e Jugut deklaroi se nuk i është dhënë njoftim zyrtar për vendimin për të rritur tarifat për disa nga mallrat e saj dhe dëshiron bisedime urgjente me Uashingtonin mbi këtë çështje.
Seuli dhe Uashingtoni arritën një marrëveshje tetorin e kaluar, e cila përfshinte një premtim nga Koreja e Jugut për të investuar 350 miliardë dollarë në SHBA, një pjesë e të cilave do të shkonin për ndërtimin e anijeve.
Muajin pasardhës, të dy vendet ranë dakord që SHBA-të do të ulnin tarifat për disa produkte sapo Koreja e Jugut të fillonte procesin për të miratuar marrëveshjen.
Marrëveshja iu dorëzua Asamblesë Kombëtare të Koresë së Jugut më 26 nëntor dhe aktualisht është duke u shqyrtuar. Sipas mediave lokale, ka të ngjarë të miratohet në shkurt.