Banorët e Kurbinit jetojnë mes mbetjeve dhe rrugëve të amortizuara, kërkojnë ndërhyrje urgjente nga bashkia
Pa rrugë të sistemuara dhe e rrethuar nga mbetje urbane, pjesa e sipërme e fshatit Shullaz në Kurbin paraqet një panoramë shqetësuese për banorët.
Mungesa e kontenierëve dhe e shërbimeve të grumbullimit të mbetjeve ka detyruar banorët dhe subjektet private që t’i hedhin ato në brigjet e përroit, ku shpesh digjen, duke shkaktuar ndotje të konsiderueshme mjedisore.
Shqetësimi bëhet edhe më i madh për faktin se pranë kësaj zone ndodhen varrezat e qytetit të Laçit. Banorët thonë se mbetjet po dëmtojnë bagëtitë dhe janë regjistruar raste ngordhjeje, duke treguar efektet serioze të kësaj situate problematike.
Një tjetër problem madhor mbetet infrastruktura rrugore. Rrugët janë të amortizuara dhe thuajse të pakalueshme, duke e vështirësuar ndjeshëm lëvizjen e banorëve dhe qasjen e shërbimeve të emergjencës.
Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga autoritetet lokale për pastrimin e zonës dhe përmirësimin e rrugëve, për të parandaluar dëme të mëtejshme për mjedisin dhe sigurinë e komunitetit.