‘Afera 500 milionë euro e AKSHI-t’, Këlliçi: Ka paralizim total të shërbimeve digjitale se paratë vidhen
Paralizimi total i shërbimeve digjitale në vend, me rënien e portalit e-Albania dhe sistemeve të tjera kyçe për biznesin, shfaqet si maja e ajsbergut të një keqqeverisjeje të thellë, e cila sipas denoncimeve të bëra publike nga deputeti Belind Këlliçi i cili ishte i ftuar në emisionin e mëngjesit Kafe Shqeto në Syri tv, ka shërbyer si fasadë për një skemë gjigante shpërdorimi fondesh publike. Në qendër të akuzave është Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), e cilësuar si “kopshti privat” i kryeministrit Edi Rama, ku vetëm në katër vitet e fundit janë derdhur plot 500 milionë euro.
Kjo shumë marramendëse, e dhënë për institucionin që duhej të ishte motori i revolucionit digjital, lidhet me afera që përfshijnë deri te familjarët e kryeministrit, si baxhanaku i tij, Armand Frangu. Rënia e sistemeve për më shumë se dy javë ka lënë në baltë qytetarët dhe bizneset, duke demaskuar propagandën e një shteti modern e digjital, ndërkohë që qytetarët përballen me pamundësinë për të marrë shërbimet më elementare.
Ironikisht, ndërsa sistemi i kujdesit për qytetarin ka rënë, i vetmi “self-care” (vetëkujdes) që duket se funksionon është ai i kryeministrit Rama. Akuzat për stilin e tij luksoz të jetesës përfshijnë udhëtime me avion privat, ekspozita arti personale me kosto qindra mijëra euro, dhe shitja e pikturave të tij për dhjetëra mijëra euro, një praktikë e cilësuar si metodë për pastrim parash. Skandalet shtrihen deri te konsumimi i një shisheje vere me vlerë 33,000 euro dhe zbulimi se koordinatori i tij për krimin e organizuar zotëron një kantinë vere me vlerë të paktën 2 milionë euro.
Në kontrast të plotë me kaosin e krijuar, zyrtarët e qeverisë ofrojnë një realitet paralel. Gjatë bisedës me moderatorin Flavio Qarri Këlliçi tha se, “Kreu i Tatimeve deklaron se sistemet shqiptare janë ndër më të avancuarat dhe përfshijnë “inteligjencë artificiale”, duke pranuar vetëm mundësinë e problemeve të vogla që adresohen me “përgjegjësi maksimale”. Ky justifikim bie ndesh me realitetin e hidhur të bizneseve, të cilat jo vetëm nuk marrin shërbim, por edhe gjobiten për vonesa në procedura që shkaktohen pikërisht nga mosfunksionimi i sistemeve shtetërore. Përpjekjet e tyre për të marrë një përgjigje nga AKSHI kanë hasur në një mur heshtjeje ose mohimi, ku institucioni pretendon se “sistemi funksionon”.
Ky kolaps total, që prek çdo hallkë të qeverisjes, dëshmon se përtej fasadës së propagandës dixhitale fshihet një mungesë totale përgjegjshmërie. Paratë publike vidhen në mënyrë “natyrale”, ndërsa qytetarëve u ofrohen shërbime “artificiale” që nuk ekzistojnë, duke e lënë vendin të zhytur në një krizë të thellë besimi dhe funksionaliteti.
Belind Këlliçi: …Dhe për sa i përket sistemeve ka rënë gjithçka. Ajo që ne kemi diskutuar në fillim të emisionit edhe ishte dhe inserti, rënia e e-Albania-s është mishërimi i propagandës dhe i fasadës së asaj qeverie. Statistikat janë të frikshme, ju i patë, vetëm në katër vitet e fundit, Edi Rama ka dhënë për kopshtin e tij privat, që është AKSHI, 500 milionë euro.
Flavio Qarri: Nga këto 30% i merr vetëm Gysi…
Belind Këlliçi: Edhe baxhanaku. Gysi koordinon... Gysi merr peng,. 10 milionë euro, mos harroni, kanë shkuar për çokollata ë? Domethënë ajo që ka ndodhur në rastin e AKSHI-t është e paprecedent. 500 milionë euro që janë oborri i tij privat, që janë për familjarët e tij, për baxhanakun Armand Frangun, që, meqë ra fjala, kam një padi nga zotëria dhe me zor e pres të vijë në gjykatë, se më ka paditur për shpifje.
Por, mbetemi te thelbi. Pra kemi të bëjmë me një institucion që ka marrë 500 milionë euro në katër vjet. Dhe sot befas nuk punon prej dy javësh e-Albania, ka rënë e-Albania, ka rënë sistemi self-care, vetëkujdesi, kujdesi për veten, në një farë mënyre, t'ia shpjegojmë qytetarëve, sepse self-care sot punon vetëm për Edi Ramën. Vetëm Edi Rama ka self-care në Shqipëri sot. Edi Rama ka kopsht privat, 4.8 milionë euro në kryeministri. Edi Rama udhëton me avion personal. Edi Rama hap ekspozita nëpër botë që kushtojnë qindra mijëra euro. Edi Rama ka filluar, është bërë artist ai. I shet pikturat, ato zhgarravinat e veta nga 50,000 euro, 70,000 euro. Pse? Është metoda për të pastruar paratë. Edi Rama e pi sot shishen e verës 33,000 euro. Kur është thënë në fillim kjo nga Arben Ahmetaj, kur është thënë në Kuvend dhe nga gazetarët, nga Elton Qyno e të tjerë e të tjerë, të gjithë kanë thënë jo me ja fut kot, gënjen syri, gënjejnë mediat e... mos e çoni deri këtu. Dhe ndërkohë doli që është e vërtetë. Doli që koordinatorët e Edi Ramës, koordinatori i Edi Ramës për krimin e organizuar e ka kantinën të paktën 2 milionë euro me verëra. Dhe kaq dihet? Po domethënë imagjino se ç'bëhet. Edi Rama, për Edi Ramën punon self-care se Edi Rama ndërkohë që ne flasim dhe ndërkohë që qytetarët presin zgjidhje nga kryeministri, Edi Ramën e ke duke bërë, ka një magazinë diku në periferi të Tiranës dhe shkon dhe merret me poçari, merret me art. Ndërkohë që do të duhej të ishte në zyrë të merrej me qytetarët. Dhe Edi Rama është personi që në fakt ka futur në kolaps çdo hallkë të qeverisjes shqiptare. Ajo që ka ndodhur me AKSHI-n është edhe më qesharake në këtë rast në raport me mungesën e përgjegjësisë së institucionit. Unë lexova një shkrim dje te Monitori.
Shkrimi te Monitori kishte një detal, që i ndodh çdo qytetari, ata që po na dëgjojnë. Thonte që gazetarët e Monitorit, duke qenë se ky është një shqetësim dhe kanë marrë ankesa nga shumë biznese, në raport me mungesën e funksionimit të AKSHI-t, me problemet që kanë me deklaratat doganore, me fiskalizimin e faturave të shitjes e të tjera, i janë drejtuar AKSHI-t disa herë për të marrë përgjigje. Dhe përgjigja ishte, nuk e kuptojmë çfarë problemi keni, sistemi funksionon. Ore këto i thonë, nuk funksionon. Ja ku janë ankesat, i shkruajnë dhe bizneset, se mos harro, shkojnë dhe marrin gjobë pastaj, se nuk plotësojnë praktikat në kohë bizneset. Ndërkohë që fajin e ka AKSHI, ndërkohë që sistemi ka rënë, ndërkohë që e-Albania nuk funksionon, shkojnë i fusin dhe një gjobë pastaj bizneseve dhe fajin e kanë po bizneset. Dhe kjo mungesë totale dhe papërgjegjshmëri totale është në fakt ajo që ndodh çdo ditë me çdo institucion. Ti ke një problem, i telefonon, nuk e di thotë. Lidhu me shefin.
Flavio Qarri: Ka një gjë që më bën përshtypje te AKSHI, ë, qoftë edhe te reagimi publik. Shifrat e vjedhura sade nga AKSHI kalojnë miliardin.
Belind Këlliçi: Janë rekord, patjetër. Mos harro dhe shtimin, edhe, së bashku domethënë, edhe një statistikë e fundit. AKSHI së bashku me buxhetin për administratën publike janë 18% e buxhetit total të Shqipërisë. E kupton ti se ç'bëhet me AKSHI-n? Edhe me administratën? Administrata, po, dhe administrata ka shkuar në pothuaj 190,000 punonjës. Dhe ti prapë nuk ke shërbim, nuk merr dot shërbim. Kemi bërë, kemi dhe ministren. Unë nuk e di çfarë thotë Diella për këtë, nuk e di a e keni pyetur Diellën.
Flavio Qarri: Nuk e di Diellën, ne pyetëm këtë, kreun e tatimeve. Ja çfarë ka thënë. Më jep pak videon e kreut të tatimeve, të lutem. Kur tregonte për sistemet, për inteligjencën artificiale, për...
Belind Këlliçi: Po për satelitët foli ky?
Kreu i Tatimeve: Do t'jua thosha që sistemet tona janë nga më të avancuarat që mund të ketë dhe ne jemi në zhvillim të tyre të vazhdueshëm, duke, domethënë duke përfshirë dhe teknologjinë e inteligjencës artificiale. Patjetër që në punën tonë ka dhe momente gjatë zhvillimit që sistemet mund të krijojnë probleme. Kjo ndodh kudo. Dhe ato adresohen nga strukturat tona të IT-së me përgjegjësi maksimale për të...
Flavio Qarri: Kjo ishte deklarata.
Belind Këlliçi: Jemi shumë mirë. Po nuk, është një lloj si puna e Vlorës, që Vlora s'do bëhet Monte Karlo, ose s'do bëhet Ibiza. Nuk mund të flasësh më shumë. E kemi artificiale e kemi fiks. E kemi fiks artificiale. Pra ajo që është sot realitet për qytetarët është inteligjenca artificiale që thotë ky, me të cilën vidhen paratë në mënyrë natyrale nga qeveria dhe gënjehen qytetarët për shërbime artificiale që nuk ekzistojnë. Shërbime që kanë rënë dhe shërbime që nuk kanë ekzistuar ndonjëherë. Domethënë, kjo platformë kaq e rëndësishme që është sot, le të themi dhe krenaria më e madhe, e-Albania, është një nga krenaritë që flet Edi Rama, s'ka gjë tjetër. Bilanc në qeverinë e tij.
Flavio Qarri: E tha dhe kur u arrestua Mirlinda Karçanaj, tha mos se gjynah po...
Belind Këlliçi: Po, se ajo është reformatore e madhe dhe jetonte dhe me qira. Edhe duhet t'i qajmë hallin, ftoj qytetarët të mbledhim një fond për t'i ardhur në ndihmë agjencisë që ka menaxhuar miliarda euro pasuri, se qenka në hall të madh kjo. Domethënë kjo është të tallesh me shqiptarët. Vetëm Edi Rama mund të tallet. Është një lloj si ajo historia që i kishte, e kishte marrë Trumpi edhe i kishte thënë që shiko mos hajde sot. Rri një çikë me gocën. Ma mbaj pak vajzën në Tiranë dhe në Vlorë aty se...
Flavi Qarri: Ju s'e besoni apo zoti Këlliçi?
Belind Këlliç: Më, të lutem zoti Qari, të lutem, të jemi, të jemi serioz domethënë. Këtë vetëm Edi Rama mund ta...
Flavio Qarri: Mund ta ketë marrë...
Belind Këlliçi: Vetëm një njeri në hall të madh mund t'i thotë këtë. Por hallet do t'i shohim edhe në, në ditët edhe javët në vijim. Por të mbetemi te thelbi. Kjo është propaganda e kësaj qeverie. Për këtë propagandë kemi folur ne. Që në, në fasadë Shqipëria është një vend në zhvillim e sipër, që shërbimet i kemi elektronike, që kemi satelit Albania 1 dhe Albania 2 dhe ndërkohë digjemi çdo verë për shkak të zjarreve, kemi probleme me, me shpronësimet, përmbytemi sa herë ka një...