Jeta e dytë e Edoardo Bove-s pas arrestit kardiak në fushë, një fillim i ri me defibrilator në trup
Pas një viti jashtëzakonisht të vështirë, Edoardo Bove po hap një kapitull të ri në karrierën dhe jetën e tij. Mesfushori italian ka zgjedhur Watford-in për të rifilluar rrugëtimin, pas arrestit kardiak që pësoi në fushë me fanellën e Fiorentinës, një episod dramatik që i ndryshoi gjithçka. “Nuk është një zgjedhje e dorës së dytë, por një sfidë. Është vendi i duhur për mua”, shprehet Bove, duke vlerësuar ambientin familjar të klubit anglez dhe mbështetjen e pronarit Gino Pozzo dhe drejtorit teknik Nani.
Faza më e vështirë ka qenë përshtatja me realitetin e ri. “Jam mirë, po mësoj ta njoh trupin tim të ri. E kam pranuar atë që më ndodhi”, thotë ai me qetësi. Aspekti psikologjik ka pasur peshë të madhe: “Kur nisa të vrapoja sërish dhe ndieja zemrën që rrihte fort, mendja më shkonte menjëherë te ajo që kisha kaluar”.
Një pjesë e pandashme e jetës së tij tashmë është defibrilatori i implantuar nën lëkurë. “Është bërë pjesë imja. Është si një telefon, pak më i vogël, i vendosur mes brinjëve dhe lëkurës”, shpjegon Bove, duke e përshkruar me natyrshmëri një pajisje që i ka shpëtuar jetën.
Ai pranon se ka pasur edhe momente dyshimi, por mbështetja e familjes dhe e partneres ka qenë vendimtare. “Është një shans i dytë, po, për jetën, jo vetëm për futbollin”, thekson mesfushori. Pas konsultimeve të shumta me mjekë dhe specialistë, vendimi është marrë: Bove mund të rikthehet të luajë, nën monitorim të vazhdueshëm. Në Itali kjo nuk ishte e mundur, por Anglia i ka hapur derën e një jete të re, në fushë dhe përtej saj.