Protesta e tregtarëve në Vlorë, Këlliçi: Mesazh për çdo qytetar për tu ngritur për të kërkuar ndryshimin
I ftuar këtë mëngjes në emisionin 'Kafe Shqeto' në Syri tv ka qenë deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi.
Në kohën e nisjes së bisedës, në Vlorë, tregtarët protestonin kundër largimit nga vendi ku ushtrojnë aktivitetin e tyre prej tre dekadash. Ata hynë me forcë në ambientet e bashkisë së qytetit.
Përfaqësuesi i opozitës, Belind Këlliçi, e cilësoi këtë ngjarje si një akt kurajoje dhe një shenjë të qartë të revoltës qytetare që po përhapet në vend. Sipas tij, reagimi në Vlorë nuk është një rast i izoluar, por pasojë e drejtpërdrejtë e një pakënaqësie të thellë popullore, e nxitur edhe nga protesta kombëtare e së shtunës së kaluar në Tiranë. Ai theksoi se qytetarët, kur nuk gjejnë zgjidhje institucionale, detyrohen të reagojnë me forcë.
“I heq kapelën qytetarëve të Vlorës për këtë reagim,” deklaroi Këlliçi gjatë bisedës me moderatorin Flavio Qarri, duke shtuar se ky akt tregon se pushteti vendor, i dalë nga zgjedhje me pjesëmarrje të ulët, është i shkëputur nga hallet e qytetarëve.
Ai e lidhi këtë problem me një fenomen më të gjerë, ku zyrtarët nuk u përgjigjen banorëve, por agjendave të tjera, duke përmendur çështje të mbetura pezull si rindërtimi pas tërmetit apo skandale si ai i dosjes “5D” në Tiranë.
Ngjarja në Vlorë vjen si një kambanë alarmi, duke reflektuar një realitet ku durimi i qytetarëve po shteron përballë indiferencës së institucioneve. Ajo që nisi si një protestë për të drejtën e punës, u shndërrua në një simbol të fuqishëm të pakënaqësisë që zien në mbarë vendin.
Flavio Qarri: Para se ta fillojmë me AKSHI-n, do të doja të spostoheshim në Vlorë ku me sa duket një protestë e paralajmëruar e qytetarëve dhe tregtarëve vlonjatë ka përshkallëzuar. Këto janë pamjet.... Këto janë pamje dramatike të momentit kur me shumë këmbëngulje tregtarët e tregut industrial në Vlorë, të cilët ashtu si kadastra me sa duket do e sjellin në Tiranë dhe tregun industrial të Vlorës, do e mbyllnin, nuk kanë gjetur zgjidhje ditën e djeshme në një takim me kreun e bashkisë, zonjën Mersinaj dhe sot janë këto pamje ku ata me sa duket nuk u mjaftuan me përcjelljen e zakonshme nga zyrat e shtetit, por vendosën të marrin fatin e tyre në dorë. Dhe edhe pamjet e atij tregtari që i bënte apel të tjerëve që të futeshin, mos të tërhiqeshin pas. Janë momente që nuk jemi mësuar t'i shohim në Shqipëri, por edhe veçanërisht në Vlorë. Këlliçi, një koment fillimisht për këtë?
Belind Këlliçi: Jo, Vlora bën shumë mirë dhe Vlora i prin revoltës qytetare edhe para, edhe para dy javësh mos gaboj, kur patën problemin me ujin e pijshëm, që prapë edhe aty doli në mënyrën më të pacipë të mundshme, i prishën kalldrëmin, po doli që fajin e kishte PD-ja prapë aty dhe fajin e kishte Saliu për një tubacion që ishte instaluar në vitin 2009. Një mashtrim banal. Po edhe në atë rast, për hir të vërtetës, për shkak të qëndresës së tyre, ia arritën që ta detyronin qeverinë t'u merrte me ta dhe t'i jepte zgjidhje. I heq kapelën, bravo i qoftë qytetarëve të Vlorës për këtë reagim që kanë, që kanë thyer sot në bashkinë e Vlorës, një institucion që sot ka një drejtuese me 7% të votave, që është qesharake. Dhe që sigurisht është ajo që ne kemi thënë, pra, kur ke në krye zyrtarë që ose kanë blerë vota, ose janë në marrëveshje me krimin e organizuar dhe jo me qytetarët, nuk kanë as program. Se le të dali një njeri, një qytetar, le të na marri tani në telefon, të thotë një pikë e zemë, të programit të kësaj kryetares së bashkisë së Vlorës, që thotë që e kam votuar sepse nga programi i saj më pëlqeu kjo pika, apo nga programi i PS-së më pëlqeu kjo pika. Nuk ka lidhje fare.
Flavio Qarri: Të mbaj mend gjatë fushatës, këta thanë Vlora e ka arritur kulmin, nuk kemi çfarë
Belind Këlliçi: Dhe, thënë këtë, bravo i qoftë dhe në fakt kjo është edhe pasoja e drejtpërdrejtë për të gjithë ata që pyesin për protestën e të shtunës. Për të gjithë ata që thonë: ore çfarë ka shkaktuar ajo protesta e të shtunës? Cilat janë produktet? Ja këto janë produktet. Qytetarët e treguan që të shtunën, që është e paprecedentë, Flavio, ajo që ka ndodhur ditën e shtunë, që qytetarët vetë, me duart e tyre, merrnin bombulat me gaz helmues të skaduar dhe ia hidhnin policëve mbrapsht. Dhe po e them dhe një herë, kjo nuk është meritë e Partisë Demokratike që ka ndodhur atë ditë, ishin vetë qytetarët që i merrnin, ia kthenin dhe gjatë gjithë kohës përplaseshin dhe kërkonin të qëndronin në ballë të protestës dhe të mos largoheshin. Po mos ishte fikja e dritave, dhunën shtazarake të policisë dhe gazin e skaduar. Dhe kjo ka prodhuar këtë revoltë të sotme në Bashkinë e Vlorës, që mua më vjen shumë mirë që këta qytetarë, këta tregtarë kanë shkuar, kanë thyer në bashkinë e qytetit se është bashkia e tyre në fakt, duhet të jetë institucioni i parë dhe pushteti lokal, në parim, është institucioni i parë ku troket një qytetar kur ka një hall. Dhe me sa duket, kanë ikur për të, për t'i dhënë zgjidhje problemit të tyre pasi nuk i dëgjon askush. E njëjta gjë që ndodh në Vlorë, ndodh në çdo qytet dhe problem pak më parë unë po ju shihja që kishit banorët e zonës së Kombinatit dhe të Durrësit që flisnin për shtëpitë e tërmetit.
Dhe ndërkohë u bë gjashtë vite mos gaboj, kemi hyrë në vitin e shtatë të tërmetit dhe nuk kanë marrë zgjidhje me problemin e apartamenteve të tyre të prekura nga tërmeti dhe ndërkohë përkrah janë bërë pallate, biznesmenë të lidhur me qeverinë, kanë hapur truallin, 5D-ja vetë edhe merrte tenderin për të shembur pallatet, merrte dhe truallin për të bërë pallatet. Dhe i detyronte ta falnin. Kuptohet se 5D-ja është Erion Veliaj, mos harroni.
Dhe i kërcënonin me shtëpinë e tyre, i kërcënonin që nuk do merrni asgjë. Pasi i detyronin, gjatë gjithë kohës i bënin presion, në fund i detyronin të falnin pronën, i shpërngulnin nga shtëpitë e tyre, i kërcënonin që do t'i hiqnin dhe bonusin e qirasë, që ishte një bonus qesharak rreth 19 mijë lekë të reja. Dhe gjatë gjithë kohës i bënin presion qytetarëve me të vetmen gjë që kanë, pasuri që kanë, se po flasim për një shtresë që gjithçka që kanë kursyer në jetë është një apartament i vogël, i bëjnë presion me atë apartament. Por do duhet të them të vërtetën, nuk e gjetën kurajon qytetarët as në zonën e Kombinatit, as në zonën e Durrësit, as në zona të tjera që të bënin këtë që po bëjnë në Vlorë dhe bravo i qoftë banorëve të Vlorës, qytetarëve të Vlorës për këtë qëndresë që po bëjnë dhe jam i bindur që do të marrin zgjidhje.
Flavio Qarri: Çmenduri është tre ditë kohë...
Belind Këlliçi: I paskan dhënë shumë tre ditë kohë. I kanë dhënë shumë. Po ti mos harro, ndodhi zjarri te 5 Maji para tre javësh mos gaboj, po nuk shkoi një njeri më nga qeveria. Po nuk shkoi një njeri nga bashkia e Tiranës të interesohet. Janë, janë shkrumbuar pasuritë e jetës, magazina me vlera miliona euro dhe as nuk i morën në telefon, as nuk i pyetën, as nuk shkuan t'i dëgjonin tregtarët. Kështu që, thënë këtë, kjo që ka ndodhur sot në Vlorë duhet të jetë një mesazh për çdo qytetar që na ndjek, që jeton në Shqipëri, duhet të jetë një mesazh i qartë që ore po nuk u ngritëm vetë, po nuk kërkuam ta ndryshojë kjo situatë, po nuk e kërkuam me forcë ndryshimin dhe po nuk kërkuam me forcë llogaridhënien, harrojeni se këta do përgjigjen ndonjëherë. Harrojeni, këta nuk e kanë llogarinë me qytetarët, nuk e kanë llogarinë me ne…