Di María rrëfen jetën e tij: Duke luajtur zbathur dhe me gurë u bëra ky që jam sot

Nuk është thjesht një vizitë nostalgjike, por një udhëtim i thellë brenda vetes. Ángel Di María ka zgjedhur të rikthehet në Perdriel, në rrugën e pluhurosur të Rosarios, ku nisi gjithçka, për të rrëfyer kuptimin e një karriere që e çoi në majat e futbollit botëror, pa e shkëputur kurrë nga rrënjët e tij. Të kthehesh aty ku si fëmijë luhej me dy gurë si shtylla porte dhe shpesh në errësirë pas perëndimit të diellit, për Di Marían do të thotë të mbyllësh një rreth të hapur me një çantë plot ëndrra.

“Jam i lumtur për rrugën që kam bërë, për mënyrën se si kanë qenë karriera dhe udhëtimi im nëpër botë”, rrëfen “El Fideo”. Megjithatë, ëndrrat e para kanë qenë shumë më të thjeshta: “Ëndrra ime ishte vetëm të arrija në ekipin e parë të Rosario Central. Gjithçka që erdhi më pas ishte rezultat i punës dhe i aftësisë për të shfrytëzuar mundësitë”.

Lidhja me njerëzit e tij mbetet thelbësore: “Është nder ta jetosh gjithë këtë me popullin tim, ata më bënë të ndihem sikur nuk jam larguar kurrë”. Pas sukseseve fshihet një histori sakrificash, që nis me ultimatumin e të atit, punëtor qymyri: “Ai kishte nevojë ta ndihmoja në punë, por nëna ime i kërkoi t’i jepte futbollit edhe një shans të fundit”.

Dhe pastaj Perdriel, që sot është edhe tatuazh: “Aty mësova ta dua topin, duke luajtur zbathur dhe duke shënuar me gurë. Është shpirti i rrugës që na bën ndryshe ne, argjentinasit”. Mes 37 trofeve të fituar, Di María nuk zgjedh vetëm një, por pranon se njëri mbetet i veçantë: “Copa América 2021 ishte unike: të fitoje pas 28 vitesh dhe ta mposhtje Brazilin në finale me një gol timin është një nga momentet më të bukura të jetës sime”. Një histori futbolli, por mbi të gjitha, një histori jete.