Kuvendi mblidhet në seancë plenare, ja çfare pritet të diskutohet
Kuvendi do të mbajë këtë të martë seancën e radhës plenare, duke nisur nga ora 10:00, ku në rendin e ditës përfshihen disa çështje të rëndësishme, mes të cilave rishikimi i buxhetit të vitit 2025 dhe ndryshimet në Kodin Penal.
Deputetët do të shqyrtojnë Aktin Normativ nr. 11, i cili parashikon rialokime financiare në disa sektorë prioritarë. Konkretisht, parashikohet shtimi i 15 miliardë lekëve për skemën e pensioneve, 2 miliardë lekë për bujqësinë, 1.8 miliardë lekë për shëndetësinë – kryesisht për furnizimin e spitaleve me barna – si dhe 1.2 miliardë lekë për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura të bashkive.
Në këtë seancë do të diskutohet edhe rishikimi i Kodit Penal. Ndryshimet do të përfshijnë gjithashtu ashpërsimin e dënimeve për ndërtimet e paligjshme, zjarrvënien dhe parkimin e dyfishtë.
Partia Demokratike u shpreh kundër ndryshimeve në Kodin Penal të qeverisë. Në një dalje për mediat, dje deputetja e PD, Elda Hoti deklaroi se ky projektligj ka si qëllim të shëndërrohet në mjet frike, duke kriminalizuar qytetarët dhe mbrojtur kriminelet. Hoti tha se rritja e dënimeve penale nuk e ndihmon shtetin ligjor, dhe cdo përpjekje për për të forcuar pushtetin përmes frikës penale është e papranueshme.
Kodi Penal parashikon dhe dekriminalizimin e shpifjes për gazetarët dhe masa mbrojtëse për ta, duke ndëshkuar kërcënimet dhe dhunën ndaj përfaqësuesve të medias, por Organizatat ndërkombëtare në mbrojtje të lirisë së medias ngrenë zërin se shpifja duhet dekriminalizuar jo vetëm për gazetarët e regjistruar, por edhe për aktivistët e të drejtave të njeriut apo advokuesit e tjerë të fjalës së lirë.
Në rendin e ditës janë përfshirë gjithashtu projektligje për ratifikimin e disa marrëveshjeve ndërkombëtare, përfshirë bashkëpunimin strategjik me Italinë në fushat e shëndetësisë, energjisë, mjedisit dhe migracionit, si dhe aderimin e Shqipërisë në traktate që lidhen me pronësinë intelektuale dhe luftën kundër tregtisë së paligjshme.
Seanca do të përfshijë edhe ndryshime në legjislacionin e drejtësisë në parandalimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, si dhe diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.