Fotoreporteri rrëfen sulmin me sprej piperi gjatë protestës: Rashë përtokë, më sulmoi një person me uniformë policie

Fotoreporteri Felix Bilani ka rrëfyer në emisionin “Studio24” momentet e tensionuara që përjetoi gjatë protestës kombëtare të opozitës, ku sipas tij u sulmua me sprej piperi direkt në fytyrë, duke humbur për disa sekonda orientimin dhe duke rënë në tokë.

Bilani e cilësoi ngjarjen si të paprecedentë në historinë e protestave në vend. “Kurrë në historinë e protestave nuk është sulmuar me gaz lotsjellës apo sprej piperi në fytyrë”, deklaroi ai, teksa përshkroi situatën pranë selisë së Partisë Demokratike. Sipas tij, në zonë ndodheshin automjete policie, topi i ujit dhe dy deputetë të PD-së që po përplaseshin verbalisht me efektivët.

Fotoreporteri tregoi se në momentin e incidentit ishte duke kryer detyrën profesionale, me aparatin fotografik në njërën dorë dhe telefonin në tjetrën për të filmuar pamje për redaksinë. “Nuk pashë më asgjë, vetëm ndjeva sprejin në fytyrë dhe për 3-4 sekonda rashë në tokë”, u shpreh Bilani.

Ai shtoi se personi që e spërkati ishte i veshur me uniformë policie, ndërsa theksoi se sulmi ndodhi papritur, pa asnjë paralajmërim. Ngjarja ka ngritur pikëpyetje mbi sigurinë e gazetarëve dhe fotoreporterëve gjatë mbulimit të protestave.