Bushati: Një opozite që i burgosen liderët, legjitimohet të përdorë çdo formë për të protestuar

Protesta e fundit e opozitës ka pasur dy qëllime kryesore, të cilat shkojnë përtej matjes së saj me numrin e pjesëmarrësve. Sipas analistit Andi Bushati, i ftuar në ÇIM PEKA LIVE në SYRI TV, protesta e zhvilluar ishte e ngjashme me ato të mëparshmet, duke synuar të përcillte mesazhe të qarta si brenda ashtu edhe jashtë vendit.

Qëllimi i parë, sipas tij, ishte për të bërë të qartë se qeverisja aktuale jo vetëm akuzohet për vjedhje, por edhe po tenton të legjitimojë këtë akt duke bllokuar çdo rrugë drejt drejtësisë. Qëllimi i dytë ishte t'i dërgonte një sinjal medias ndërkombëtare se opozita në Shqipëri po proteston për shkak të një afere të madhe korrupsioni ku është përfshirë një zyrtar i lartë qeveritar.

Duke komentuar reagimin e Kryeministrit Edi Rama, i cili deklaroi se Shqipëria është i vetmi vend në Evropë ku opozita proteston me molotovë, Bushati ofroi një kundëranalizë. Ai pranoi se në vende si Franca apo Gjermania, opozitat politike nuk përdorin mjete të tilla, pasi ato janë tipike për grupe të vogla ekstremiste. Megjithatë, ai theksoi se ky krahasim është i pavlefshëm pa marrë në konsideratë kontekstin politik.

Pyetja që shtron analisti është nëse opozitës shqiptare i janë krijuar të njëjtat kushte demokratike si homologeve të saj në Perëndim. Bushati argumenton se një opozitë, liderët e së cilës burgosen, së cilës i mohohet e drejta për komisione hetimore parlamentare dhe interpelanca, dhe që shtypet sistematikisht, është e legjitimuar të përdorë të gjitha format e protestës. Ai pohon se opozita në Shqipëri nuk mund të matet me standardet e opozitave në Francë apo Gjermani, por duhet krahasuar me opozitën në vende si Bjellorusia, ku hapësirat demokratike janë të kufizuara.

Bushati: 

Për mendimin tim ishte e njëjta protestë siç kemi parë edhe herën e kaluar. Domethënë, unë as gjithmonë refuzoj t'i mas protestat me numër njerëzish, i kishin kaluar urën apo s'e kishin kaluar urën.

Çështja e kësaj proteste, ashtu si edhe ajo para kësaj, ishte për dy gjëra. Për të bërë, të qartë që, ky regjim, kjo qeverisje jo vetëm na vjedhin, por tani e kanë, duan dhe ta legjitimojnë vjedhjen duke i penguar rrugë edhe asaj pak drejtësie që mund t'i ketë dalë nga duart. E para dhe e dyta, ashtu siç u pa dhe në titujt e mediave ndërkombëtare e vuri theksin që opozita në Shqipëri proteston se sepse zëvendës kryeministrja është kapur në një aferë të madhe korrupsioni.

Pashë dhe një reagim të kryeministrit Rama për këtë gjë, i cili bënte të pafajshmin në fakt dhe thoshte që jemi i vetmi vend në Evropë ku opozita politike, del në rrugë për të protestuar me molotov e të tjerë e të tjerë. Po ta kapësh kështu, duket e vërtetë.

Sepse nuk ka nevojë as në Francë, as në Gjermani, as në Itali, opozitat politike të marrin molotovin në dorë. Këtë e bëjnë grupime ekstremiste më të vogla. Por kjo është një anë e problemit. Ana tjetër e problemit është që a kemi ne, i kemi krijuar ne opozitës tonë politike në Shqipëri të njëjtat kushte si opozitat në ato vende që do të krahasohet Rama?

Pra një opozite që ti, i burgos liderët, një opozite që kur shkon në parlament nuk i lejon komisionet hetimore, nuk i lejon interpelancat, një opozitë që, bën ç'është e mundur për ta shtypur, është e legjitimuar që të përdori të gjitha format për të protestuar. Pra, opozita në Shqipëri nuk mund të matet me opozitën në Francë apo në Gjermani, po mund të matet me opozitën në, në Bjellorusi le të, le të themi. Këto ishin ato që unë thosha si, si fillim.