Fitore me goleada, përcaktohen gjysmëfinalistet e Kupës së Shqipërisë për femra

Vllaznia, Apolonia, Teuta e Gramshi janë katër ekipet gjysmëfinaliste të këtij edicioni të Kupës së Shqipërisë për vajza.

Nuk kishte surpriza në ndeshjet e kthimit të fazës çerekfinale, teksa të katër këto ekipe triumfuan pa lëkundje në ndeshjet respektive, duke prerë me bindje biletat për në fazën tjetër.

Pas triumfit 9-0 ndaj Atletik Klub në ndeshjen e parë, Vllaznia fitoi edhe takimin e dytë me rezultatin 3-0 të shtunën.

Shkodranet konfirmojnë kështu formën e tyre pozitive edhe në këtë edicion të këtij kompeticioni.

Sakaq, të shtunën u luajtën edhe dy sfidat e tjera, ku Apolonia mposhti 8-1 Kinostudion.

Fieraket kontrolluar ndeshjen, duke treguar qartë se mbeten një nga pretendueset për këtë trofe.

Teuta vijoi marshimin bindës, duke mposhtur Partizanin me rezultatin e thellë 8-0.

Një paraqitje e fortë, me intensitet dhe gola, që vuloisi kualifikimin e durrsakeve në katërshen më të mirë të këtij edicioni të Kupës.

Ndërkaq, në sfidën e luajtur këtë të hënë, Gramshi mposhti Egnatian me shifrat 6-0.

Kupa e Shqipërisë hyn tani në fazën ku gabimet nuk falen dhe ku vetëm më të fortat vazhdojnë në fazën tjetër.

Katër të kualifikuarat në gjysmëfinale janë: Vllaznia, Apolonia, Teuta dhe Gramshi.