7 viktima dhe një i plagosur nga rrëzimi i një avioni privat në SHBA

Shtatë persona kanë humbur jetën dhe një tjetër ka mbetur i plagosur pas rrëzimit të një avioni privat në shtetin amerikan të Maine, raportoi CNN duke cituar Administratën Federale të Aviacionit (FAA).

Sipas autoriteteve, avioni dymotorësh i tipit Bombardier Challenger 650 u rrëzua gjatë procedurës së ngritjes në Aeroportin Ndërkombëtar të Bangor-it, të dielën. Pas përplasjes në pistë, mjeti ajror u përfshi nga flakët, duke shkaktuar një zjarr të fuqishëm.

Ekipet e emergjencës ndërhynë menjëherë në vendngjarje, ndërsa i mbijetuari u transportua në spital për trajtim mjekësor. Gjendja e tij shëndetësore nuk është bërë ende e ditur.

Autoritetet federale kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e aksidentit. Ngjarja ndodhi në një kohë kur shtetet verilindore të SHBA-së po përballen me një stuhi të fortë dëbore, çka mund të ketë ndikuar në kushtet e fluturimit.