'Familjet shqiptare nuk po jetojnë, po mbijetojnë'/ Asqeri: Koha për heshtje ka mbaruar, është koha për ndryshim
Sekretarja Politike e PL në Qarkun e Gjirokastrës, Myrvete Asqeri, gjatë fjalës së saj në foltoren e opozitës para Kryeministrisë, ngriti shqetësimin për përkeqësimin e kushteve ekonomike të familjeve shqiptare, duke theksuar se sot shumë prej tyre po mbijetojnë dhe jo po jetojnë.
Asqeri u shpreh se rritja e vazhdueshme e çmimeve, e papërballueshme nga rritja minimale e pagave dhe pensioneve, ka rënduar ndjeshëm jetesën e qytetarëve. “Flas për nënat dhe gjyshërit që hyjnë në market me listë në dorë dhe dalin me zemër të rënduar. Flas për prindërit që punojnë ndershëm çdo ditë, por që muaji mbyllet gjithmonë para rrogës,” deklaroi ajo.
Sipas saj, produktet e shportës bazë janë kthyer në luks për shumë familje në të gjithë vendin, ndërsa pyetja që shtrohet sot në çdo shtëpi është “çfarë do të heqim këtë muaj” dhe jo më “çfarë do të bëjmë”.
Në fjalën e saj, Asqeri ndaloi edhe te situata e shtresës së mesme, të cilën e cilësoi si shtylla që mban vendin në këmbë. Ajo theksoi se mësuesit, infermierët, punonjësit e administratës dhe profesionistët e ndershëm po rrëshqasin çdo ditë drejt varfërisë. “Pa shtresë të mesme nuk ka stabilitet, nuk ka zhvillim dhe nuk ka shtet të fortë,” u shpreh ajo.
Duke folur për bizneset e vogla, Asqeri kritikoi vendimet për heqjen e tendave dhe mbulesave pa dialog dhe pa masa lehtësuese, ndërkohë që, sipas saj, vijon pagesa e taksave për tavolinat dhe karriget. Ajo paralajmëroi se shumë biznese ndodhen në prag falimentimi si pasojë e uljes së xhiros.
Në lidhje me përmbytjet, Asqeri theksoi se ato nuk janë thjesht pasojë e natyrës, por e keqmenaxhimit dhe mungesës së planifikimit. “Janë shtëpi të mbytura, biznese të shkatërruara dhe familje të harruara, ndërsa askush nuk mban përgjegjësi,” tha ajo.
Në përfundim, Asqeri deklaroi se qytetarët nuk kërkojnë luks apo premtime boshe, por dinjitet dhe zgjidhje reale. “Qeveria ka dështuar. Por opozita jemi ne, që qëndrojmë me qytetarët dhe luftojmë për të ardhmen e fëmijëve tanë. Shqipëria meriton më shumë dhe ndryshimi vjen nga zëri dhe bashkimi ynë,” përfundoi ajo.
Asqeri:
Nuk mund të hesht kur familjet shqiptare po mbijetojnë, jo po jetojnë. Flas për nënat dhe gjyshërit që hyjnë në market me listë në dorë dhe dalin me zemër të rënduar. Flas për prindërit që punojnë ndershëm çdo ditë, por që muaji mbyllet gjithmonë para rrogës. Çmimet rriten pa ndalur. Rritja e pagave dhe pensioneve është shumë e ulët në krahasim me rritjen e çmimeve. Produktet e domosdoshme të shportës bazë janë kthyer në luks për shumë familje anë e mbanë Shqipërisë.
Dhe pyetja që dëgjohet në çdo shtëpi nuk është më çfarë do të bëjmë, por çfarë do të heqim këtë muaj. Ndërkohë, po shuhet ajo që ka mbajtur këtë vend në këmbë, shtresa e mesme e shoqërisë. Mësues, infermierë, punonjës administrate, profesionistë të ndershëm, sot nuk jetojnë më me dinjitet. Ata rrëshqasin çdo ditë më afër varfërisë. Pa shtresë të mesme nuk ka stabilitet, pa shtresë të mesme nuk ka zhvillim, pa shtresë të mesme nuk ka shtet të fortë. Heqja e tendave dhe e mbulesave në mënyrë arbitrare, pa dialog dhe masa lehtësuese, e kombinuar me vazhdimin e pagesës së taksave për karriget e tavolinat, ka ulur ndjeshëm xhiron e bizneseve të vogla. Në këto kushte, shumë prej tyre ndodhen realisht në prag të falimentit.
Dhe kur vijnë përmbytjet, qeveria na thotë, është natyra. Jo. Përmbytjet nuk janë, pasojë e keqmenaxhimit, e mungesës së planifikimit dhe e papërgjegjshmërisë. Janë shtëpi të mbytura, biznese të shkatërruara, familje të harruara dhe askush nuk mban përgjegjësi. Një shtet që nuk mbron qytetarët nga varfëria, nuk i mbron as nga përmbytjet, nuk është shtet që kujdeset, është shtet që ka dështuar. Ne nuk kërkojmë luks, nuk kërkojmë premtime boshe, kërkojmë dinjitet, kërkojmë zgjidhje reale, kërkojmë politika që mbajnë familjet dhe shtresën e mesme gjallë. Si nënë, nuk pranoj që fëmijët tanë të rriten me frikë.
Si grua, nuk pranoj që puna e ndershme të mos mjaftojë për të jetuar. Dhe sot, po ua themi qartë, qeveria ka dështuar. Por opozita jemi ne. Ne që qëndrojmë me qytetarët, që ndërtojmë shpresën dhe dinjitetin, që luftojmë për të ardhmen e fëmijëve tanë, të ardhmen e kombit tonë. Ne meritojmë më shumë. Shqipëria meriton dinjitet. Dhe ky ndryshim nuk vjen nga heshtja, nuk vjen nga frika, nuk vjen nga premtime të zbrazëta, vjen nga zëri ynë, nga bashkimi ynë, nga opozita që qëndron me qytetarin. Sot, këtu, vetëm së bashku mund t'ia dalim.