Deklarata e presidentit të Marseille bën xhiron e rrjetit: Pyeta nënën time për transferimin e sulmuesit

Një deklaratë e pazakontë e presidentit të Marseille, Pablo Longoria, ka tërhequr vëmendje të madhe në rrjetet sociale dhe mediat ndërkombëtare.

Në një intervistë për The Telegraph, Longoria zbuloi se kishte kërkuar këshilla nga nëna e tij përpara se klubi të vendoste transferimin e Mason Greenwood.

Ardhja e sulmuesit anglez në Marseille në vitin 2024 shkaktoi reagime dhe polemika të forta, për shkak të akuzave të mëparshme ndaj tij për dhunë në familje dhe tentativë përdhunimi në vitin 2022.

“Me gjithë informacionin që kisha në dispozicion, e thirra nënën time dhe i thashë: ‘Çfarë mendon, duke e ditur të gjithë situatën?’”, tregoi Longoria.

“Ajo ka punuar në sistemin e burgjeve në Spanjë dhe është nderuar me medalje shtetërore. Përgjigjja e saj ishte e qartë: ‘Bëje!’”.

Presidenti i Marseille theksoi se për të ishte e rëndësishme të merrte një mendim jashtë botës së futbollit.

“Ishte thelbësore të dëgjoja një opinion objektiv nga dikush që nuk është i përfshirë në sport”.

Longoria shtoi se klubi kishte analizuar me kujdes situatën:

“Krijimi i tabuve në jetë nuk është kurrë pozitiv. Nga këndvështrimi sportiv, ishte një mundësi shumë e madhe tregu dhe ne u përpoqëm të kuptonim në detaje se çfarë kishte ndodhur realisht”.

Deklarata e tij ka bërë menjëherë xhiron e rrjeteve sociale, duke ndarë opinionin publik mes kritikave dhe mbështetjes për vendimin e klubit francez.