VIDEO/ Kepi: Policia provokoi protestën e 24 janarit, u hodh gaz dhe qytetarët u goditën pa arsye
Gazetarja Alba Kepi, e ftuar në emisionin ‘Task Force’ me Sonila Meçon në SYRI TV, ka rrëfyer përjetimet e saj gjatë protestës së 24 janarit në Tiranë, ku policia përdori gaz lotsjellës dhe arrestoi qytetarë që, sipas saj, nuk kishin kryer asnjë akt dhune.
Kepi deklaroi se ka ndjekur protestën nga afër, veçanërisht në fazën para Parlamentit, ku ndodhej në vijën e parë bashkë me protestuesit dhe deputetët. Sipas saj, situata u përshkallëzua si pasojë e provokimeve nga forcat e policisë.
Ajo theksoi se edhe gratë pjesëmarrëse në protestë u bënin thirrje të tjerëve të mos i kapnin me duar tymnueset, nga frika se mund të shpërthenin. ‘Ka qenë një provokim i hapur,’ u shpreh ajo.
Gazetarja tregoi se ishte pranë operatorëve shqiptarë dhe të huaj kur një qytetar u shkëput nga turma dhe iu drejtua policëve, duke u kërkuar të mos qëllonin. Sipas Kepit, qytetari deklaroi se nuk ishte i interesuar për politikë, por kishte ardhur nga Londra për të protestuar dhe u bëri thirrje policëve të bashkoheshin me qytetarët.
‘Unë e kam ndjekur mjaft me vëmendje protestën, sidomos këtu kur erdhi faza e parlamentit. Kam qenë në linjë të parë kur erdhën dhe deputetët që u afruan pranë policisë. Dhe kam parë që gjithçka është provokuar nga forcat e policisë. Këtu protestuesit nuk kanë hedhur asgjë. Siç e shikoni, ata hedhin tymnuese dhe janë protestuesit që ja kthejnë pas.
Madje zonjat në protestë, të tjerët, të gjithë thonin 'mos po vriteni duke mos u plas në dorë, më mirë mos i kapni me duar'. Pra këtu ka qenë një provokim i hapur i forcave të policisë.
Ne vetëm po prisnim të mbërrinin gjithë deputetët dhe të shohim, të shikonim se cila do të ishte strategjia e vazhdimit të protestës para parlamentit. Sa i takon zotërisë, isha mjaft pranë disa operatorëve shqiptarë dhe të huaj kishte që po filmonin dhe pashë që ky zotëri u shkëput nga radha e protestuesve dhe tha ‘mos qëlloni sa të kaloj unë’.
Aty pastaj jam afruar mjaft pranë pemës se pashë që diçka po ndodhte dhe ë, aty dhe unë kam thithur gjithë gazin, pasi gjithçka ishte akoma më e fortë pranë policëve. Ata janë të gjithë të mbuluar, kurse ne ishim pa asgjë.
Dhe këtu ai deklaronte mjaft thjeshtë me fjalët e tij se 'unë nuk, mua nuk më intereson politika, por jam këtu, kam ardhur nga Londra. Ju jeni shqiptarë si unë, hiqni kapelet, bashkohuni me shqiptarët, pasi nuk ndodh në asnjë vend të botës që një kryeministër të ketë kaq shumë skandale dhe të vijojë të qeverisë'.
Dhe nëse e shikoni edhe policët e dëgjojnë dhe askush nuk reagon. Dhe ajo në parlament ka qenë një, uroj dhe këshilloj, ndoshta nuk ka nevojë për këshillat e mia, meqenëse është Besardi këtu, duhet parë me vëmendje gjithçka ka ndodhur në parlament, pasi aty kanë qenë provokime të herëpashershme.
Aty pak minuta më vonë, një polic i vetëm ka ardhur kundër protestuesve dhe ka provokuar protestuesit pikërisht duke bërë ato gjeste sikur po qëllonte apo sikur po gjuante diçka. Dhe një tjetër fakt, nuk kishte nevojë pse të vinte autoboti i ujit kurse kur protestuesit nuk kishin asgjë në dorë.
Erdhën aty duke na vënë në mes të dy na bllokuan. Unë pastaj u futa, nuk e njeh mirë Tiranën, më kupton? U futa aty ku ka qenë biblioteka e vjetër e Tiranës. Kam dhe videot. Jam brenda portës së bibliotekës dhe aty brenda në portën e bibliotekës, që është një oborr si një hajat i madh i Tiranës, ato na hedhin tymnueset dhe brenda’, u shpreh Alba Kepi në SYRI TV.