Xhaferri: Dhuna e policisë tregoi suksesin e protestës, opozita drejt protestave të vazhdueshme
Deputeti i Partisë Demokratike, Besart Xhaferri, i ftuar në emisionin “Task Forcë” në Syri TV me moderatoren Sonila Meço, e cilësoi protestën e fundit si paqësore dhe gjithëpërfshirëse, të thirrur jo vetëm nga opozita, por nga të gjithë ata qytetarë që, sipas tij, mendojnë se Shqipëria ndodhet në një regjim autoritar.
Xhaferri theksoi se, ndonëse përplasje mund të ketë në çdo protestë, reagimi i policisë ishte disproporcional, ndërsa paralajmëroi vijimin e protestave me një format të ri, më të vazhdueshëm dhe me synim rritjen e presionit politik ndaj qeverisë.
Besart Xhaferri: Ajo ishte një protestë paqësore, e thërritur nga opozita shqiptare, pra jo vetëm Partia Demokratike, por ka thërritur të gjithë faktorin që mendon që Shqipëria nuk është në rrugën e duhur, është në një diktaturë, në një regjim, në të gjitha ato problematikat që ne i kemi thënë. U zhvillua normalisht. Patjetër që në çdo protestë kudo në botë ka përplasje, por pastaj dhuna e policisë ishte disproporcionale.
Megjithëse ne patjetër nuk duam që dhuna e policisë të jetë disproporcionale sepse goditen dhe le të themi masakrohen qytetarët e pafajshëm të Shqipërisë. Një gjë që ajo tregon, tregon që sa më e fortë të jetë dhuna e policisë, aq më e suksesshme ka qenë protesta.
Do të vazhdojnë protestat, do jepet data e re e protestës kombëtare dhe pastaj do ndryshojë dhe formati i protestës.
Ka diskutime dhe ka planifikime që të marri formën që të jetë sa më e vazhdueshme dhe sa më pak e kushtueshme pra në kohë për njerëzit, në mënyrë që ajo të ketë strategjinë e duhur që ajo protestë, ai bulevard mos të lirohet më. Pra të zaptohet deri në rrëzimin e Edi Ramës. Të rrethohet kryeministria, mund të jetë skenari i grevës, mund të jetë çdo lloj skenari, por ato patjetër që janë gjëra logjistike të cilat do i do i zhvillojë si bisedime njëherë brenda shtabi i Partisë Demokratike dhe pastaj do të dalim me njoftimin për qytetarët, por e sigurt është që Shqipëria do shkojë drejt protestave të vazhdueshme.