UEFA dënon klubin polak për banerin ‘Kosova është Serbi’
Klubi polak Lech Poznan është ndëshkuar nga UEFA me gjobë financiare pas shkeljeve të regjistruara gjatë ndeshjes kualifikuese ndaj Yllit të Kuq të Beogradit në kuadër të Ligës së Kampionëve.
Sipas raportimeve të “kkslech.com”, organi më i lartë i futbollit evropian i ka caktuar Lech Poznanit një gjobë prej 10 mijë eurosh për shfaqjen e banerit provokues “Kosova është Serbi” në tribuna gjatë ndeshjes.
Përveç këtij incidenti, UEFA ka evidentuar edhe shkelje të tjera disiplinore, çka ka bërë që gjoba totale ndaj klubit polak të arrijë në 48 mijë euro.
Ndeshjet mes Lech Poznanit dhe Yllit të Kuq të Beogradit u zhvilluan në muajin gusht të vitit 2025 dhe u shoqëruan me tensione në tribuna, të cilat tashmë kanë sjellë pasoja disiplinore për klubin vendas.