Ish-sulmuesi i Partizanit, ‘hajmali’ për Genona-n, nuk humbet kurrë kur shënon në Serinë A
Caleb Ekuban vazhdon të jetë një emër i veçantë në historinë moderne të Genoas dhe statistikat e tij janë vërtet të jashtëzakonshme. Ish-sulmuesi i Partizanit në Kategorinë Superiore po konfirmohet si një “hajmali” e vërtetë për klubin italian, pasi sa herë që ai ka gjetur rrugën e rrjetës, Genoa nuk ka pësuar asnjë humbje.
Prova e fundit erdhi në ndeshjen dramatike kundër Bologna-s, ku Genoa përmbysi disavantazhin 0-2 dhe triumfoi 3-2, me Ekuban që shënoi golin e barazimit, duke hapur rrugën për përmbysjen e madhe. Një pasdite për t’u mbajtur mend, ku përveç kartonit të kuq të portierit kundërshtar Skorupski, vendimtare ishin edhe realizimet spektakolare të lojtarëve të Genoas.
Statistika e Ekuban është mbresëlënëse: 11 gola të shënuar në 114 ndeshje zyrtare me fanellën e Genoas dhe në asnjë prej këtyre takimeve Genoa nuk ka dalë e mundur. Madje, në tetë nga këto 11 raste, skuadra ka arritur edhe fitoren, çka e forcon edhe më shumë reputacionin e tij si një lojtar që sjell fat dhe pikë.
Sulmuesi i lindur në Villafranca di Verona, por me origjinë ganezë dhe me eksperiencë edhe në futbollin shqiptar te Partizani, u shpreh i lumtur pas ndeshjes: “Jam i kënaqur që kam sjellë pikë për ekipin. Ne jetojmë me emocione dhe me një tifozeri të jashtëzakonshme që përpiqemi ta shpërblejmë në fushë”.
Në garën për mbijetesë, Genoa duket se ka një armë më shumë: Ekuban. Një lojtar që ndoshta nuk shënon shpesh, por kur e bën, ndryshon fatin e skuadrës.