SYRI TV/ Vlorë, hidrovori jashtë funksioni, nga katër pompa, vetëm një në punë
Qyteti i Vlorës rrezikon përmbytjet pasi nga katër pompat e hidrovorit të qytetit, funksionon vetëm një prej tyre. Shqetësimi është ngritur nga banorët e lagjes “Kushtrimi”, të cilët mjaftuan pak reshje shiu, për tu përballuar me ujin në oborret e banesave të tyre. Ata theksojnë se kjo situatë është e përhershme, ndërsa shtojnë se gjithmonë pompat e hidrovorit nuk punojnë
Syri tv
Reshjet e shiut me intensitet deri mesatar, të rena mbrëmjen e së dielës dhe gjatë orëve të para të ditës së hënë, kanë bërë që niveli i ujit në kanalet e qytetit të Vlorës të rritet ndjeshëm, duke shkaktuar probleme për disa familje që jetojnë pranë hidrovorit në lagjen “Kushtrimi”.
Janë më shumë se 10 banesa në këtë zonë, në të cilat uji ka hyrë në oborret e tyre.
Ndërkohë, nga katër pompat që ka hidrovori i qytetit, vetëm njëra është aktualisht në funksion, çka ka sjellë rritje graduale të nivelit të ujit në kanalin që shkon drejt pompave dhe, për pasojë, përmbytjen e oborreve të banesave.
Vetë banorët shprehen të zhgënjyer, pasi kjo situatë përsëritet sa herë ka reshje shiu, ndërsa shtojnë se vazhdimisht edhe hidrovoret e qytetit nuk funksionojnë.
Ndërkohe një punonjës i hidrovorit shprehet se nga katër pompa qe janë vetëm një është në funksion, pasi dëmtohen nga mbeturinat e shumta.