‘Akuza tronditëse’, Vasili: Shteti përdor 'maskarenj' pa uniformë, policia është kthyer në organizatë kriminale
Në një analizë të situatës pas protestës së opozitës, ish-deputeti i Partisë së Lirisë Petrit Vasili i ftuar në edicionin e mesditës ne Syri TV ka lëshuar akuza të rënda ndaj Policisë së Shtetit dhe qeverisë, duke e cilësuar reagimin e forcave të rendit si tërësisht të paligjshëm dhe të diktuar nga frika e kryeministrit Edi Rama. Gjatë bisedës me moderatorin Arnold Kariqi, Vasili denoncoi një fenomen edhe më të rëndë: përdorimin e individëve të paidentifikuar, me maska dhe xhupa të zinj, të cilët veprojnë si grupe paraushtarake për të rrëmbyer dhe dhunuar protestues.
Sipas tij, protesta ishte madhështore dhe paqësore, por përballë saj u vu një polici që nuk vepron sipas ligjit apo proporcionalitetit, por "vetëm e vetëm sipas shkallës së frikës së Edi Ramës". Ai e quajti kryeministrin një "frikacak të noterizuar", duke argumentuar se sa më i trembur të jetë ai, aq më i dhunshëm bëhet reagimi i policisë. Përdorimi pa kriter i gazit lotsjellës, i cili helmoi edhe qytetarë në banesat e tyre, si dhe arrestimet e të miturve, janë dëshmi, sipas tij, se policia po vepron si një "organizatë kriminale".
Akuza më tronditëse e bërë nga ish-deputeti ishte ajo për ekzistencën e "maskarenjve me xhupa të zinj". Ai deklaroi se këta individë të paidentifikuar, shpesh me makina private, marrin pjesë në operacione duke rrëmbyer qytetarë, një praktikë që ai e ka denoncuar edhe më herët në Parlament. "Kush janë këta maskarenj të cilët kanë marrë statusin që arrestojnë njerëz, i dhunojnë, i marrin, i fusin në makina? Pra, paramilitarë, mafiozë dhe kriminelë aktivizohen siç duhet," deklaroi Vasili. Qëllimi i kësaj strategjie, shpjegoi ai, është që të kryhet dhunë brutale pa u identifikuar autorët, duke i mundësuar shtetit të shmangë përgjegjësinë ligjore.
Kjo metodë, sipas tij, nuk përdoret vetëm ndaj protestuesve të thjeshtë, por ka prekur edhe nivelet më të larta, duke përmendur rastin kur ish-presidenti Ilir Meta u ndalua dhe u mbajt për dy orë nga persona të paidentifikuar. "Statusi i kriminelëve të paidentifikuar, pra që bëjnë krimin, zhduken dhe mbulohen, po përdoret në mënyrën më të poshtër dhe më mafioze," shtoi ai.
Në përfundim, Vasili theksoi se një polici, drejtuesit e së cilës akuzohen për shitje informacioni te krimi, nuk mund të quhet më një institucion ligjzbatues. Ai u shpreh se pavarësisht situatës së brendshme, rezultati kryesor politik i kësaj ngjarjeje është diskreditimi ndërkombëtar i qeverisë shqiptare, pasi mediat botërore pasqyruan imazhin e një "klike kriminale" që shtyp qytetarët e saj, të cilët kërkojnë vetëm largimin e hajdutëve nga pushteti.
Arnold Kariqi: Rikthehemi në transmetim të drejtpërdrejtë për t'u ndalur në hapësirën e intervistës. Do të fokusohemi tek aktualiteti politik, sigurisht agjenda e opozitës, protesta, përplasjet me policinë e shtetit, deputetët që nuk u kursyen nga dhuna e policisë, por jo vetëm, ka patur arrestime, të mitur. Do të diskutohen me ish-deputetin Petrit Vasili.
Dua të ndalemi pak tek protesta për të ardhur më pas se çfarë ndodhi pas saj. Një protestë që ishte në shifra madhështore, paqësore sigurisht dhe proporcioni i personave, gazit, përplasjes, policisë, u arrestuan edhe të mitur. Si e përcollët gjithë këtë situatë dhe përse ky reagim i policisë së shtetit ndaj kësaj proteste? Ishte një reagim që ndryshonte nga herët e tjera, më shumë si një reagim shqetësues për të ndalur diçka që mund të vinte pas saj? Për të frikësuar mbase.
Petrit Vasili: Jo, është shumë e qartë. Kjo polici nuk vepron as në raport me ligjin, as në raport me proporcionin që ka një protestë e caktuar apo tjetër. Kjo polici, këta drejtues policie, këta ordinerë që drejtojnë policinë, sepse ata janë ordinerë. Njerëz që janë të akuzuar se kanë shitur informacione kriminelëve drejtojnë policinë e shtetit, ju e mendoni, e kuptoni vetë ç'polici kemi.
E për t'u kthyer te pyetja juaj, këta veprojnë sipas nivelit të frikës së Edi Ramës. Sa më i trembur Edi Rama, që u ulërin këtyre që, shiko, reagoni me të gjithë fuqinë e bjerini sa të keni, sa sa të keni mundësi, këta kështu veprojnë. Pra, këta nuk kanë referencë ligjin, i cili përcakton qartë cilat janë mënyrat, veprimet, proporcionaliteti, ruajtja e shëndetit të njerëzve, e të tjera. Këta veprojnë vetëm e vetëm sipas shkallës së frikës së Edi Ramës. Atij i ka hyrë frika në palcë. Dihet që është një frikacak i noterizuar, i njohur botërisht. Ka 1000 fakte që e provojnë këtë. Gjithmonë poshtë shalëve të kriminelëve ka qëndruar tërë jetën e tij. Tani futet poshtë shalëve të policisë edhe të gardës e të tjera e të tjera. Ky është problemi. Dhe prandaj këta reagojnë si, jo vetëm si kriminelë, por edhe si idiotë. Sepse ju patë shumë mirë që përdornin gaz lotsjellës pafund, ndërkohë që nuk kishte grumbullim. Pra, thjesht e vetëm kanë helmuar edhe njerëz nëpër banesat e tyre pa asnjë shkak. Kjo është një vijimësi e një policie kriminale, ne e kemi provuar dhe më parë. Nuk besoj se të tjerët në vend i ke harruar që se çfarë bënte në kohën e policisë së Sandër Lleshit. Patjetër. Që mbyti gjysmën e Tiranës me me gaz. Atëherë, pra kjo polici ka një gjë karakteristike, po ta shikoni, është e egër, vepron, në mënyrë kriminale ndaj protestuesve, por është një polici që me të tërë kuptimin e fjalës, mbush brekët po erdhi puna te kriminelët.
Ju i keni parë dhe vetë, një qytetar i thjeshtë me një makinë të vjetër e të lodhur, masakrohet me gjoba e të tjera, ndërkohë që kriminelët me makina që keni parë se si janë e të tjera e të tjera, përshëndeten, i përshëndesin policët, u japin dorën, bashkë me dorën u japin edhe ndonjë lekë dhe këta, të tillë janë. Pra, e shikoni ju? Këta, këta që nuk gjejnë asgjëkund, nuk arrijnë dot t'i identifikojnë kriminelët, po shkojnë identifikojnë kush është protestuesi.
Por, tjetra që dua të ndalem, edhe besoj kjo është shumë e rëndësishme. Ka një veprimtari të shtuar, të cilën unë e kam denoncuar në sallën e parlamentit. Kam kërkuar këtij Çuçit kur ishte ministër i Brendshëm. Një veprimtari shumë të rrezikshme, e cila duhet të kallëzohet dhe duhet të ngrihet si një çështje shumë e madhe nga opozita shqiptare. Veprimi i maskarenjve me xhupa të zinj, të paidentifikuar, që e keni parë dhe me sytë e kamerave tuaja, që rrëmbejnë njerëz i fusin në makina. Kush janë këta maskarenj, të cilët kanë marrë statusin që arrestojnë njerëz, i dhunojnë, i marrin, i fusin në makina, shpesh makina private dhe jo makina policie, të paidentifikuar. Pra, paramilitarë, në kuptimin më të plotë të fjalës, mafiozë dhe kriminelë, aktivizohen siç duhet. Sepse më thoni, ju jeni gazetar i vjetër. Më thoni mua, si identifikohet një njeri që s'ka asnjë shenjë, po me një xhup të zi, shpeshherë i keni parë me kapuç e të tjera. Unë, po i them këto, i kam denoncuar në sallën e parlamentit. Kam çuar, që ta dini, për të freskuar memorien, edhe tre kallëzime të mëdha për protestat e mëparshme të opozitës, të kësaj opozite, që qoftë në Durrës, qoftë në Tiranë, qoftë në Lezhë, të cilat çështje u mbyllën me hetime nga prokuroria, ku me pamje filmike ju keni parë se si tërhiqen njerëzit zvarrë, përfshi edhe, arritën dhe të mitur e çfarë, çfarë nuk kanë bërë. Po gjithmonë u lihen këto, kjo dorë maskarenjsh u lihet gjithmonë këtyre, të paidentifikuarve. Çfarë është ky shtet që vepron me njerëz të paidentifikuar? Madje u ka dhënë status.
Arnold Kariqi: Zoti Vasili, pse duhet të merren civilë për këtë punë? Pse është aq e vështirë që ai që shoqëron dikë të jetë i veshur me uniformën e policisë së shtetit?
Petrit Vasili: Pikërisht, ja ta them unë, sepse duhet të veprohet, egërsisht dhe të mos identifikohen që të marrin përgjegjësitë përsipër shteti. Sepse ju patë, nga skenari që shkojmë tek një, çfarë ndodh me një protestues atje, tek skenari vetë në nivele shumë të larta, po civilë, po të paidentifikuar, po me makina private, guxuan, rrëmbyen ish-presidentin e shtetit po dhe presidentin e Partisë së Lirisë, zotin Ilir Meta.
Pra, statusi i kriminelëve të paidentifikuar, pra që bëjnë krimin, zhduken dhe mbulohen, po përdoret në mënyrën më të poshtër dhe më mafioze, pra për ta bërë krimin e mos lënë gjurmë. Dhe për të thënë pastaj të ngrenë supet. Po kur nuk i dimë, nuk i pamë, nuk i njohim, e kuptoni? Pra, që t'ju japin të kuptojnë këtyre njerëzve të jeni të pasigurtë se ne mund t'ju rrëmbejmë dhe rrugës dhe të mos e dini kush u rrëmbeu e t'ju çojmë atje në polici. Mbani mend ju kur u rrëmbye presidenti i Partisë së Lirisë? Dy orë të tëra nuk dihej se ku ndodhej. Pra, maskarenj të paidentifikuar e rrëmbejnë dy orë të tëra dhe nuk dihet kush është. Pra në shtetin shqiptar vijnë të të rrëmbejnë dhe ti duhet të jesh gjithmonë i trembur se vijnë të rrëmbejnë njerëz që pa asnjë shenjë, pa asnjë gjë, që vijnë e të bëjnë të gjitha ato gjërat. E kuptoni çfarë shteti jemi ne? Dhe kjo është një kryeçështje. Kjo duhet të jetë, jo vetëm të kallëzohet në të gjitha instancat e drejtësisë, cilado qoftë kjo drejtësi, të jenë atje, që ta dinë që ata maskarenjtë e drejtësisë po s'mbajtën drejtimin, drejtësinë, po s'mbajtën qëndrim janë si këta, edhe t'i çohen të gjitha këto filmime, të gjitha, të gjithë institucioneve ndërkombëtare, ato që mbrojnë të drejtat e njeriut, institucioneve e gjykatave më të larta evropiane dhe të gjithë botës. Se pra në Shqipëri veprojnë grupe paramilitare...
Arnold Kariqi: Në Shqipëri kemi parë zoti Vasili edhe nëndrejtor policie që bashkëpunonte për të rrëmbyer biznesmenë.
Petrit Vasili: Po,e kam parë, po këtë që më zure me gojë ti, se si na, masakronin ne, mbaj mend tek sheshi Wilson ku kemi bërë, ishte ajo protesta e bllokimit të rrugëve. Nën komandën e njërit prej këtyre, edhe ky ka qenë një nga ata që komandonte, atje se si t'u merrnin shpirtin dhe deri t'u merrnin edhe frymën. Po kur merrnin frymën, nuk ua them në mënyrë metaforike, po vërtetë. Të tillë maskarenj janë. Edhe pastaj ikin, bëjnë sikur fshehin dorën, sepse duhet ta dini një gjë, një polici që ka drejtuesit e saj që i japin informacion kriminelëve dhe janë palë e atyre, s'është ajo polici, është ajo organizatë kriminale. Dhe atë sjellje treguan dhe kundra protestës së opozitës, por për fat, rezultati themelor politik është që diskreditimi është tashmë i përbotshëm. Tërë opinioni publik botëror, falë mediave më të mëdha të botës, të cilat ju absolutisht e pasqyruat, treguan se çfarë klike kriminale është në Shqipëri, që është, me përjashtim të vrasjeve masive, nuk dallon asnjë gram nga ajo qeverisje që ekziston në Iran, në Teheran, që shtyp me dhunë protestuesit, që çfarë kërkojnë? Kërkojnë që hajdutët që vjedhin miliarda të ikin nga pushteti. Sepse nuk duan të vidhen më, që këta të bëhen miliarderë me nga 400 shtëpi, kurse shqiptarët marrin rrugët e botës, kërkojnë fatin e tyre, po s'dinë se ku me sakrifica të jashtëzakonshme vetëm e vetëm se këta duhet të vazhdojnë të vjedhin pa u ndalur. Dhe të mbrojnë edhe hajdutët njëri-tjetrin siç e keni parë….