Rama lë Vlorën pa Kadastër e transferon në Tiranë, 55 punonjësit e këtij institucioni në protestë
Pas njoftimit për "shkrirjen" e Kadastrës së Vlorës dhe zhvendosjen e saj në Tiranë, 55 punonjës të këtij institucioni kanë nisur protesta brenda ambienteve të Kadastrës. Ata kanë firmosur gjithashtu një peticion kërkesë për rishikimin e menjëhershëm të vendimit, duke shprehur kundërshtinë e tyre ndaj kësaj mase.
Vendimi për zhvendosjen e zyrës së Kadastrës së Vlorës është firmosur më 23 janar nga drejtoresha e përgjithshme e Kadastrës, Lorena Goxhobelli, dhe procesi i transferimit duhet të përfundojë brenda këtij muaji. Sipas burimeve, kjo është një pjesë e një plani të gjerë që ka nisur vitin e kaluar, ku tashmë disa drejtorë dhe punonjës, përfshirë drejtori Albion Koçi dhe 25 të tjerë, janë transferuar në Tiranë.
Aktualisht, në Vlorë ndodhen ende rreth 55 punonjës, të cilët do të duhet të zhvendosen në kryeqytet, përndryshe do të humbin vendin e punës. Vendimi i fundit i nxjerrë ka përcaktuar që zyra e Kadastrës së Vlorës do të transferohet përfundimisht pranë rrugës "Jordan Misja" në Tiranë.
Kadastra e Vlorës ka pasur shpesh ndryshime të shpeshta drejtuesish, ndërsa drejtori i fundit, Genc Deromemaj, dha dorëheqjen në nëntor të vitit 2025, vetëm katër muaj pas emërimit. Me këtë vendim, aktiviteti i Kadastrës së Vlorës do të përqendrohet tërësisht në Tiranë, duke lënë pas çdo aktivitet dhe shërbim në qytetin bregdetar.