E bujshme në Sochi/ Robert Moreno u shkarkua për ‘abuzim me ChatGPT’
Rasti i Robert Morenos ka tronditur botën e futbollit, pasi ish-zëvendësi historik i Luis Enrique dhe ish-trajneri i përkohshëm i Spanjës është shkarkuar nga FC Sochi mes akuzave të pazakonta për përdorim të tepruar të Inteligjencës Artificiale. Zbulimet u bënë nga Andrei Orlov, ish-drejtori i përgjithshëm i klubit rus, i cili deklaroi se Moreno mbështetej pothuajse plotësisht te ChatGPT për drejtimin e skuadrës.
Sipas Orlovit, trajneri spanjoll përdorte IA për gjithçka: nga formacionet fillestare dhe zëvendësimet, te vendimet e merkatos dhe metodat motivuese. Një nga rastet më ekstreme lidhet me planifikimin e një udhëtimi në Khabarovsk, i cili, sipas Orlovit, detyroi lojtarët të qëndronin zgjuar për 28 orë rresht, pa kohë për pushim. “Gjithçka dukej perfekte, por pyetja ishte: kur do të flinin lojtarët?”, ka thënë ish-drejtori.
Po ashtu, Orlov pretendon se edhe afrimi i sulmuesit kazak, Artur Shushenachev, i cili nuk shënoi asnjë gol, ishte rezultat i analizave të ChatGPT. Kjo qasje, sipas tij, prishi raportin e besimit me dhomën e zhveshjes dhe çoi në shkarkimin e Morenos, ndërkohë që Sochi u rrëzua nga kategoria gjatë drejtimit të tij.
Në artikull trajtohet edhe raporti i ndërlikuar mes Morenos dhe Luis Enrique-s. Pas dorëheqjes së këtij të fundit në vitin 2019, Moreno mori drejtimin e Spanjës dhe e kualifikoi ekipin në Euro 2020, por më pas u përjashtua nga stafi pas rikthimit të Enrique-s, duke u akuzuar për sjellje jo korrekte.
Megjithatë, Moreno i ka mohuar kategorikisht akuzat. Ai ka deklaruar se Orlov nuk ishte më pjesë e klubit në momentin e largimit të tij dhe se ChatGPT është përdorur vetëm për përkthime nga spanjishtja në rusisht. Sipas tij, ndarja me Sochi-n ka qenë me marrëveshje dhe jo një shkarkim, ndërsa akuzat për vendime sportive të marra nga IA i ka cilësuar “plotësisht të rreme”.