Zyrtare/ Leon Jakirović firmos me Interin, ja detajet e transferimit
Leon Jakirović është zyrtarisht lojtar i ri i Interit. Klubi zikaltër ka publikuar komunikatën zyrtare, përmes së cilës konfirmon transferimin e mbrojtësit të ri kroat nga Dinamo e Zagrebit drejt Milanos, duke sqaruar edhe formulën e marrëveshjes.
“Në Milano – FC Internazionale Milano njofton afrimin e Leon Jakirović-it nga GNK Dinamo Zagreb. Mbrojtësi i lindur në vitin 2008 transferohet tek Inter U23 me karton të plotë”, thuhet në njoftimin e klubit në faqen zyrtare.
Sipas planit të përcaktuar nga drejtuesit zikaltër, Jakirović do t’i bashkohet fillimisht skuadrës Inter U23, e drejtuar nga trajneri Stefano Vecchi. Rruga e tij e zhvillimit është e qartë: aktivizim gradual në ekipin U23 dhe përvoja e parë në Serie C, për t’u përgatitur më pas për kalimin në ekipin e parë, ku stërvitjet drejtohen nga Cristian Chivu.
Interi vazhdon kështu strategjinë e investimit te talentët e rinj europianë, duke synuar ndërtimin e lojtarëve për të ardhmen, por edhe krijimin e një baze të fortë për skuadrën e parë. Jakirović, i konsideruar si një nga mbrojtësit më premtues të brezit të tij në Kroaci, shihet si një profil me potencial të lartë zhvillimi.