Seattle Seahawks dhe New England Patriots rikthejnë sfidën e vitit 2015 në finalen e Super Bowl 2026
Finalja e Super Bowl 2026 do të rikthejë një ‘betejë’ të njohur: Seattle Seahawks do të përballen me New England Patriots, po ashtu si në vitin 2015, por këtë herë pa Tom Brady-n në fushë. Ndeshja do të zhvillohet më 8 shkurt, në Santa Clara, dhe premton spektakël, duke rikujtuar përballjen historike të 11 viteve më parë, ku Patriots fituan 28-24.
Në gjysmëfinale, New England Patriots siguroi vendin në Super Bowl pas një fitoreje të ngushtë dhe taktike 10-7 ndaj Denver Broncos, në një ndeshje të vështirë nga fusha e rrëshqitshme dhe reshjet e dendura të dëborës. Ndërsa Seattle Seahawks triumfoi 31-27 kundër Los Angeles Rams në shtëpi, falë një sulmi të fuqishëm dhe performancës vendimtare të ‘quarterback’-ut, Sam Darnold.
Kjo është një mundësi për të ribërë historinë, 11 vjet pas përmbysjes dramatike të Patriots, dhe Seattle konsiderohet favorit për shkak të talenteve të shumta në skuadër dhe lojës së tyre të ekuilibruar.
Finalja e Super Bowl 60 pritet të jetë një ndeshje emocionuese, ku të dy skuadrat do të kërkojnë të imponojnë stilin e tyre dhe të marrin trofeun më të madh të NFL-së.