Joan Laporta flet për largimin e Dro Fernandez: Është një situatë e pakëndshme dhe surprizë

Presidenti i FC Barcelona, Joan Laporta, ka folur publikisht për Pedro ‘Dro’ Fernandez dhe transferimin e tij të afërt te Paris Saint-Germain, duke pranuar se kjo situatë e ka kapur klubin katalanas krejtësisht të papërgatitur.

Gjatë një intervistetë dielën në mbrëmje, Laporta konfirmoi se është arritur një marrëveshje midis klubeve dhe nuk e fshehu zhgënjimin për mënyrën si u zhvilluan ngjarjet.

“Do të flasim për këtë kur gjithçka të jetë përfunduar plotësisht. Ai ka njoftuar se nuk do të vazhdojë. Është një situatë e pakëndshme,” – tha Laporta. “Do të mund të riorientojmë situatën ashtu si ishte planifikuar. Na erdhi si një surprizë.”

Presidenti katalanas zbuloi se Barcelona kishte një plan të qartë për lojtarin e ri, i cili u prish papritur.

“Kishim rënë dakord për një zgjidhje tjetër për Dro kur të mbushte 18 vjeç, dhe papritur agjenti i tij na tha se nuk mund të përmbushnim atë që kishim rënë dakord,” – shpjegoi Laporta. “Do të përpiqemi ta mbyllim këtë situatë në mënyrën më të mirë të mundshme për interesat e Barcelonës.”