SYRI TV/ Inceneratorët, 450 milionë euro tym, 700 mijë euro të tjera për landfille

SYRI TV

Pasi dështoi me menaxhimin e mbetjeve si pasojë e aferës 400 milionë euro të inceneratorëve, qeveria po planifikon shpenzoje miliona të tjera. Agjencia shtetërore, Operatori i Blerjeve të Përqendruara  do të shpenzoje 700 mije euro për projektet për ndërtimin e landfilleve të reja në Elbasan dhe Fier. Kjo shumë do të shkojë vetëm për hartimin e idesë se si do të ndërtohen landfillet e reja, pasi zbatimi i këtyre projekteve pritet të kushtojë miliona euro të tjera. Ndërkohë kryeministri Edi Rama nuk ka mbajtur asnjë përgjegjësi për vjedhjen e 400 milion eurove përmes kësaj skeme të firmosur nga qeveria e tij.

Operatori i Blerjeve të Përqendruara ka mbyllur së fundmi dy tendera me vlerë totale rreth 700 mijë euro për projektet e landfilleve të rinj në Elbasan dhe Fier, ndërkohë që qeveria e Edi Ramës ka injoruar dhe nuk ka mbajtur asnjë përgjegjësi për aferën mbi 400 milionë euro të inceneratorëve fantazmë në këto dy qytete, si edhe në Tiranë. Këtë të hënë janë publikuar rezultatet e procedurave tenderuese të zhvilluara për llogari të Agjencisë Kombëtare të Ekonomisë së Mbetjeve (AKEM).Kjo strukturë është krijuar me një vendim të Këshillit të Ministrave në mars 2024, pasi strategjia qeveritare për ndërtimin dhe funksionimin e impianteve të djegies së mbeturinave dështoi në mënyrë spektakolare.

Në mandatin e parë qeverisës, kryeministri Edi Rama promovoi projektet e incenerimit të mbetjeve, pavarësisht kundërshtive të opozitës, ekspertëve të fushës dhe Bashkimit Europian. Gjatë viteve 2014-2017, qeveria miratoi kontratat për ndërtimin e impianteve të djegies së mbeturinave në Elbasan, Fier dhe Tiranë, me kosto koncesionare për ndërtimin rreth 170 milionë euro dhe me kosto reale që përllogaritet në mbi gjysmë miliardi euro. Dhjetë vjet pas aplikimit të strategjisë së dështuar, inceneratorët në Elbasan dhe Fier u ndëtuan vetëm si karabina, pa u ndezur thuajse asnjëherë. Ndërsa, në Tiranë, impianti i djegies së mbeturinave nuk u ndërtua kurrë, megjithëse bashkia e kryeqytetit dhe disa të tjera paguajnë pa ndalim tarifën për incenerimin e mbetjeve.

Pasi mori mandatin e katërt qeverisë, në vijim të një procesi elektoral abuziv, kryeministri Edi Rama vendosi të heqë dorë nga inceneratorët, pa dhënë asnjë llogari se ku shkuan qindra milionë euro për këto investime të dështuara. Gjatë paraqitjes së programit qeverisës, kryeministri nuk i përmendi aspak inceneratorët, por vlerësoi pozitivisht ndërtimin e landfilleve, si zgjidhje për menaxhimin e mbetjeve, një opsion që ai e kishte refuzuar me forcë 10 vite më parë. Tashmë, nëpërmjet dy tenderave për “Projektimi i Infrastrukturës së Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve, në Elbasan dhe Fier”, qeveria ka vendosur shpenzimin e rreth 700 mijë eurove. Kjo shumë është vetëm për hartimin e idesë se si do të ndërtohen landfillet e reja, pasi zbatimi i këtyre projekteve pritet të kushtojë miliona euro të tjera.