SYRI TV/ Ministri Malaj justifikon Parkun Durana, Malaj: Kryejmë kontrolle ndaj kompanive
Ministri i Financave, Petrit Malaj, mbron dhe justifikon parkun fantazmë 'Durana'. Sot, në konferencën për shtyp, Malaj u shpreh se për kompanitë në këtë park legjislacioni është i qartë dhe se Tatimet dhe institucionet e tjera në varësi të tij kryejnë kontrolle periodike. Por ligji për parket teknologjike që operojnë pa taksa është i qartë, sepse këto kompani mund të ushtrojnë aktivitetin vetëm brenda zonës së përcaktuar me ligj. Në rastin konkret, në Xhafzotaj të Durrësit, ka vetëm livadhe dhe asnjë godinë ku këto kompani mund të operojnë. Mbetet për t’u sqaruar se ku e kanë kryer kontrollin inspektorët e Tatimeve, ose nëse edhe këto inspektime, siç vetë Parku pretendon, janë fiktive për të justifikuar miliona të vjedhura nga AKSHI.
Nga SYRI TV
Qeveria vijon të mbrojë Durana Tech Park, i krijuar nga Kryeministri Edi Rama, nën drejtimin e Elira Kokonës, për të përjashtuar nga taksat kompani që merrnin abuzivisht tenderat nga AKSHI.
Gjatë konferencës për shtyp, Ministri i Financave, Petrit Malaj, u pyet se çfarë masash ka marrë institucioni i drejtuar prej tij dhe Drejtoria e Tatimeve ndaj këtij Parku dhe kompanive e personazheve të hetuara nga SPAK si grup i strukturuar kriminal.
Malaj u justifikua me faktin se Tatimet dhe Korporata e Investimeve, e drejtuar nga Elira Kokona, kanë kryer kontrolle periodike ndaj kompanive pjesë e këtij Parku, sipas parashikimeve ligjore.
Kjo mbrojtje e abuzimit nga Ministri i Financave, Petrit Malaj, shton edhe më tej skandalin, pasi ligji që ministri citon specifikon qartë se këto kompani regjistrohen dhe ushtrojnë aktivitetin vetëm brenda Parkut teknologjik të krijuar posaçërisht për to.
Ndërkohë, siç konstatohet në zonën e Xhafzotajt, ku ky park duhet të ishte, ka vetëm livadhe dhe asnjë nga godinat e prezantuara nga Edi Rama dhe Elira Kokona që do të strehonin kompanitë.
Mbetet për t’u sqaruar se ku e kanë ushtruar kontrollin e pretenduar inspektorët e Tatimeve, pasi çdo adresë tjetër do të ishte shkelje e ligjit.
Për më tepër, kjo përforcon akuzat se ky park është fantazëm dhe ka për qëllim vetëm shmangien e taksave nga kompanitë që kanë përfituar qindra milionë euro tendera nga AKSHI.