Shkodër/ Banorët e Prekalit pa qendër shëndetësore e rrugë, Benet Beci: Ndërtojeni vetë!
Fshati Prekal në Bashkinë Shkodër përballet me mungesë të shërbimeve shëndetësore dhe rrugë të rrezikshme, ndërsa banorët kërkojnë vëmendje dhe ndërhyrje të menjëhershme.
Mungesa e një qendre shëndetësore është kthyer në një problem serioz për banorët e fshatit Prekal në Bashkinë Shkodër.
“Nuk interesohet askush për ne, kemi mbetur vetëm pleq,” shprehen banorët, të cilët i bëjnë thirrje autoriteteve lokale për plotësimin e kësaj nevoje bazike.
Banorët theksojnë se përballen me situata të vështira shëndetësore, ndërsa qendra më e afërt ndodhet shumë larg dhe transporti është i vështirë.
“Nuk kemi ku të shkojmë kur sëmuremi. Një qendër shëndetësore është e domosdoshme për ne,” shprehet një prej banorëve.
Problem paraqet edhe rruga që lidh fshatin me qytetin, e cila gjatë gjithë gjatësisë ka gurë të rrëzuar dhe paraqet rrezik për automjetet dhe banorët. “Benet Beci më ka thënë që të pastroj vetë rrugën,” tregon një tjetër banor.
Prekali ndodhet rreth 24 km larg qytetit të Shkodrës, por banorët kërkojnë vëmendje dhe plotësim të kushteve minimale për shëndetin dhe sigurinë e tyre nga bashkia dhe institucionet shtetërore.
“Duam që bashkia të veprojë sa më shpejt. Nuk kërkojmë shumë, vetëm të kemi qendër shëndetësore dhe rrugë të sigurta,” shton një tjetër banor i zonës.