Përmbytjet/ Vjosa u shkatërroi banesat/ Banorët e Fierit: Humbëm çdo gjë, por s'na njohin dëmet

Banorët e fshatit Feras, pas daljes së lumit Vjosë nga shtrati dy javë më parë, shprehen të shqetësuar për vonesat dhe mospërputhjet në procesin e dëmshpërblimit. Ata thonë se, ndërkohë që dëmet në orenditë shtëpiake po njihen, dëmet strukturore në banesa dhe humbjet në bujqësi nuk po trajtohen në mënyrë të drejtë.

Dalja e lumit Vjosë ka shkaktuar dëme të mëdha në banesa dhe të mbjella në Feras.

Banorët tregojnë se muret rrethues dhe disa pjesë të strukturave të banesave janë dëmtuar rëndë, por komisionet e bashkisë kanë vendosur që dëmshpërblimi të përfshijë vetëm orenditë shtëpiake.

“Na janë çarë shtëpitë, na janë rrëzuar muret rrethues, por këto dëme nuk po na i marrin parasysh,” thonë banorët, duke e konsideruar situatën të padrejtë.

Situata paraqitet edhe më problematike për dëmet në bujqësi. Banorët raportojnë se humbjet në të mbjella janë të mëdha, por Drejtoria e Bujqësisë ende nuk ka kryer verifikimin e tyre për të përcaktuar vlerën e dëmshpërblimit.

Kastriot Bana, një banor i Ferasit që jeton në Itali, tregon se banesa e tij ndodhet pranë argjinaturës ku doli lumi, dhe muri rrethues i është shembur. Ai thotë:

“Pse nuk ma njohin dëmin? Unë duhet të vij nga Italia për të nxjerrë leje për rindërtimin e murit, sepse nëse e bëj pa leje, më dënojnë. Kjo ma rrit edhe më shumë dëmin. Presim dëmshpërblim nga shteti.”

Komisioni i verifikimit nga bashkia deklaroi se janë kontaktuar të gjithë banorët e prekur nga përmbytjet.

Megjithatë, banorët kërkojnë një proces më të drejtë dhe verifikim të plotë të të gjitha dëmeve, për banesat dhe bujqësinë, duke theksuar se pasojat e përmbytjeve vazhdojnë të rëndojnë jetesën e tyre.