Kryebashkiaku i PS, Rrogozhinë paraqitet në Apelin e GJKKO-së, pritet shpallja e vendimit për dënimin e tij

Kryebashkiaku socialist i Rrogozhinës Edison Memolla i dënuar në Shkallën e Parë paraqitet në Apelin e Posaçëm Antikorrupsion për tu njohur me vendimin që pritet të shpallej këtë të hënë.

Pas dështimit të seancave radhazi mbi shkaqe të ndryshme, pritet që togat e zeza të Apelit të vendosin nëse lënë në fuqi vendimin e dënimit me 1 vit burg dhe 5 vite ndalim të ushtrimit të funksioneve publike, do ta prishin vendimin apo ta rikthejnë për gjykim në Shkallën e Parë.

Blerim Xhamani dhe Isuf Tosku, u dënuan nga GJKKO përkatësisht me 1 vit dhe 8 muaj burg, ku për Toskun dënimi u pezullua duke u vendosur në shërbim prove.

Pjesë e kësaj dosje ishte Ndriçim Tafxhafa që u dënua me 1 vit burg gjithashtu për korrupsion aktiv në zgjedhje.

Më 24 janar të vitit 2025 Gjykata e Posaçme e gjeti dhe e shpalli fajtor Edison Memollën pas hetimeve që morën indicie nga emisioni investigativ “Piranjat” në Syri Televizion.

Audio përgjimi tregoi se kryebashkiaku, ende në detyrë ndonëse i dënuar nga Shkalla e Parë, në atë kohë kandidat për kryetar bashkie në Rrogozhinë, ndikonte  tek një punonjës i OSHEE, për të mos i ndërprerë energjinë elektrike një abonenti debitor.

Mësohet se vendimi për Memollën pritet të shpallet pas dy javësh.

Prokuroria e Posaçme tha se gjithë kjo bëhej me qëllim që qytetari të votonte në favor të tij në zgjedhjet e pjesshme lokale të datës 6 Mars 2022. Përveç dënimit me 1 vit burg, Gjykata e Shkallës së Parë vendosi si dënim plotësues, se për 5 vitet e ardhshme Memolla nuk mundet të mbajë asnjë funksion publik.