'Hajnat n'burg' / Si u vodhën votat në Prizren, Pacarizit të PDK-së pas rinumërimit iu hoqën 6 mijë vota
Një skandal ka tronditur procesin zgjedhor në Kosovë, Prokuroria e Prizrenit ka arrestuar mbi 100 persona të dyshuar për manipulim dhe vjedhje votash.
Hetimet kanë zbuluar një skemë mashtrimi ku votat nuk vidheshin mes partive, por brenda tyre, në një luftë të brendshme mes kandidatëve të së njëjtës listë.
Gazetari Kron Sadiku në një intervistë për ‘Kafe Shqeto’ në Syri TV, tregon me detaje çfarë ka ndodhur .
Në Prizren rreth 29.343 vota janë hequr nga balanca e votave edhe diku 16.366 vota , janë manipuluar. Ju kanë shtuar kandidatëve të ndryshëm. Këtu e kemi edhe një kampion sa i përket kësaj çështje, është Fetah Pacarizi, të cilit pas rinumërimit janë larguar 6.022 vota.
Sadiku tregon me shifra skemën e vjedhjes së votës brenda partive
"Kemi persona që i kanë marrë mbi 6.000 vota. Nuk besoj se një personi të cilit i shtohen 6.000 vota ka pasur dikush vullnet apo dëshirë politike, që ai të jetë pjesë e parlamentit. Në kontekstin e numrave të përgjithshëm në parlament, jo, Vetëvendosja prin edhe prin se i ka marrë votat, domethënë, jo se i ka vjedhur votat.
Pastaj edhe Vetëvendosja nuk është se është lënë anash sa i përket çështjes së votave, gjithmonë po flasim për komunën e Prizrenit.
Arbër Rexhaj i ka humbur rreth 631 vota në disa zona të numërimit nga nga Vetëvendosja.
Filiz Mustafa diku 227 vota, por krahasimisht me disa prej partive të cilat kanë qenë parti më të mëdha realisht, mund të themi se në kontekstin individual prin PDK-ja pra me Fetah Pacarizin.
Pastaj edhe LDK-ja nuk qëndron keq. Por ajo çka më bëri përshtypje, ka persona brenda LDK-së të cilët kanë qenë jashtëzakonisht të zëshëm brenda kësaj fushate zgjedhore, për shembull më kujtohet deputeti Paris Guri, të cilit i janë hequr 181 vota. Nuk është mbase ndonjë shifër e madhe kjo, por edhe një votë dikush e ka dhënë atë. Ai është mendimi i tij ose i saj. Për atë arsye i kushtohet kaq shumë rëndësi dhe prokurori nga Prizreni, Petrit Kryeziu ka lëshuar 109 fletarreste. Në qendrën e paraburgimit në Prizren nuk ka pasur vend për personat të cilët do të duhej të akomodoheshin aty pas këtij investigimi"
Në rrjetet sociale, slogani "Hajnat n'burg" është bërë thirrja kryesore e qytetarëve, të cilët kërkojnë drejtësi dhe ndëshkim për përgjegjësit.
Ky skandal ka dëmtuar rëndë kredibilitetin e zgjedhjeve dhe besimin e qytetarëve tek vullneti i tyre i shprehur me votë, duke ngritur pikëpyetje serioze për integritetin e demokracisë dhe motivin e qytetarëve për të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme.
Këtu te ne nuk e kemi shumë kulturën me na vjedh, e kemi shumë ë inat të madh nëse vidhemi dhe në këtë rast është vjedhur vullneti i qytetarëve të Kosovës, pa diskutim.
‘Hajnat në burg!’ Slogani është duke qarkulluar nëpër rrjete sociale. Realisht unë e shoh si një të vërtetë të hidhur edhe e shoh si një humbje të kredibilitetit të qytetarëve ndaj partive që ata i kanë votuar”