'Ku të fle me kalamaj?' Banorët e 'Urës së Dajlanit' kërkojnë strehim: Qeveria po na lë në qiell të hapur!
Dhjetëra familje që banojnë pranë zonës së njohur si 'Ura e Dajlanit' në Durrës, kanë protestuar ditën e sotme, pasi rrezikojnë të mbeten pa strehë për shkak të një vendimi për prishjen e banesave të tyre.
Prej më shumë se dy dekadash në këto shtëpi, ata shprehen se po lihen në mëshirë të fatit, pa asnjë zgjidhje.
“Jemi pa strehë. Ku të fle jashtë me kalamaj? Jemi fukarenj, mezi hamë një copë bukë,” shprehet njëra prej banoreve, duke treguar kushtet e vështira ekonomike dhe frikën se do të përfundojë në rrugë bashkë me fëmijët dhe familjarët e tjerë.
Sipas saj, ata nuk kanë mundësi financiare për të paguar qira dhe kërkojnë vetëm një strehë. Mes tyre është edhe banori Ermand Ida, i cili tregon se jeton në këtë zonë prej 28 vitesh.
Sipas tij, u ka ardhur një vendim që i urdhëron të lirojnë banesën brenda dy ditëve. "Jemi me fëmijë, me familje, të sëmurë. Kam dy fëmijë me probleme në spektrin e autizmit dhe nuk ia dal dot të shkoj me qira. Kërkojmë strehim, të na marrë në konsideratë bashkia," thotë ai, duke shtuar se për vite me radhë kanë paguar rregullisht faturat e shërbimeve.
Situata paraqitet kontradiktore, pasi banorët pretendojnë se ndërkohë që u vjen urdhri për prishje, disa prej tyre kanë marrë më herët leje nga institucionet për të bërë ndërhyrje në banesa.
Këto familje janë vendosur në këtë zonë që prej vitit 1998, duke ndërtuar jetën e tyre aty.
Deklarata e banorëve:
Banori 1: Jemi sëmurë, na prishën shtëpitë. Një shtëpi duam, se s'kena lekë të paguajmë qiranë. Neve fukare jena, mezi hamë një copë bukë. Punojmë, hamë një copë bukë, të paktën një strehim, tri me kalamaj. Jam vetë i shtatë. Edhe goca me fëmijë. Ka pesë kalamaj ka edhe goca. Ku shkojmë, ku të mbytemi? Jemi sëmurë.
Banori 2: Jam Ermand Ida. Banoj ka 28 vjet këtu. Edhe na ka ardhur vendimi brenda dy ditëve për me na prish. Pa asnjë lloj të drejte, që vendimi do të thotë, të paktën do të japin afat për 10 ditë. Jena me kalamaj, me familje, sëmurë, s'kemi ku shkojmë.
Banori 3: Ne kërkojmë strehim,, edhe të na mbajnë në konsideratë bashkia. Të na strehojnë diku. Se edhe kështu nuk dilet. Kemi dy fëmijë me probleme me spektrin e autizmit.
Paguj terapi, gjëra, edhe nuk ia dal dot edhe të shkoj me qira.