A është demokracia liberale në rënie përfundimtare?
Sistemi i vjetër ka funksionuar nën kushte që sot nuk ekzistojnë më
Nga John Burn-Murdoch - FT/
Është e lehtë të mendojmë se përhapja e demokracisë liberale gjatë dy shekujve të fundit ishte e pashmangshme dhe pjesë e natyrshme e përparimit njerëzor, një rrugë njëkahëshe drejt një mënyre më të mirë qeverisjeje. Por kjo nuk është e vërtetë.
Sipas një modeli domethënës, të theksuar së fundmi nga ekonomisti politik amerikan Matthew Burgess, përparimi i demokracisë liberale në botën e zhvilluar ka ecur zakonisht paralel me rritjen ekonomike. Kjo nuk do të thotë, siç pretendon teoria e modernizimit, se rritja ekonomike prodhon automatikisht demokraci liberale, mjafton të shohësh Kinën apo vendet e Gjirit. Por ngjarjet e fundit sugjerojnë se rritja mund të jetë e domosdoshme për t'i mbajtur gjallë ato.
Në mënyrë shqetësuese, kur kjo analizë përditësohet deri në ditët e sotme, modeli shfaqet i përmbysur gjatë 15 viteve të fundit: prapakthimi demokratik, rritja e populistëve dhe shpërbërja e rendit liberal botëror kanë ndjekur nga afër një ngadalësim të qartë ekonomik dhe demografik. Po ta shohim nga ky këndvështrim, trazirat politike dhe gjeopolitike të dekadës së fundit nuk janë përjashtime, por norma e re.
Ky përfundim përputhet mirë me vëzhgimin e kryeministrit kanadez Mark Carney në Davos, se sot jetojmë në një botë krejt të ndryshme nga ajo e para dy dekadave. Komentet e tij kishin të bënin kryesisht me gjeopolitikën, por vlejnë po aq edhe për këtë fushë më të gjerë: mjedisin ekonomik dhe demografik që lejoi fillimisht vendosjen e rendit liberal demokratik, të cilin ai e quan tashmë "të prishur".
Praktikisht, ky këndvështrim na tregon se, edhe pse Donald Trump është pa dyshim një figurë përçarëse dhe e pazakontë, ngritja e tij është gjithashtu shenjë e ndryshimeve shumë më të gjera shoqërore dhe ekonomike, ndryshime në rrethana që nuk duket se do të përmbysen së shpejti.
Studimet tregojnë se shtyllat kryesore të shoqërive liberale demokratike, si besimi dhe bashkëpunimi mes komuniteteve dhe kombeve të ndryshme, ushqehen nga rritja e mirëqenies. Ajo krijon optimizëm dhe shërben si provë për idealet bazë, si besimi se të gjithë fitojmë kur vendosim interesin e përbashkët dhe mendimin afatgjatë mbi interesin e ngushtë dhe përfitimin e shpejtë. Rritja ekonomike ndihmon gjithashtu në uljen e tensioneve etnike dhe mes grupeve, duke rritur besimin dhe duke dobësuar ndjesinë se po luftohet për një sasi të kufizuar burimesh.
Bota e re me rritje të ulët, konkurrencë me shumatore zero dhe popullsi që plaket, është thelbësisht ndryshe, dhe, rrjedhimisht, do të ketë edhe një politikë thelbësisht ndryshe. Amullia ushqen një politikë padurimi, egoizmi, armiqësie ndaj "të tjerëve" dhe një shpërfillje të normave dhe institucioneve të ndërtuara ndër shekuj.
Struktura demografike gjithnjë e më e rënduar nga mosha e ul dinamizmin ekonomik, pasi punëtorët më të moshuar janë më pak novatorë dhe më pak të gatshëm të ndryshojnë punë. Ndryshimi i profilit të moshës ushtron gjithashtu presion të madh mbi financat publike, duke sjellë rritje taksash jo popullore dhe duke tkurrur shpenzimet që japin prova të dukshme përparimi ose mbjellin farat e rritjes së ardhshme. Pasojat janë infrastrukturë në degradim, rritje e dobët e produktivitetit dhe pakënaqësi rekord me qeveritë dhe sistemet politike që kanë mbikëqyrur këtë rënie.
A është, pra, demokracia liberale në rënie përfundimtare? Vetë ngritja e Carney-t ofron një fije shprese, e ushqyer nga reagimi kundër Trump-it. Por prirjet elektorale në Europë nuk sugjerojnë një përsëritje të kësaj. Një rimëkëmbje e gjerë e rendit liberal ka të ngjarë të varet nga një kthesë në këto prirje themelore, dhe këtu shenjat janë më pak premtuese. Përpjekjet për të zbutur ndikimin e përkeqësimit demografik refuzohen rregullisht nga votuesit dhe partitë, si në të majtë ashtu edhe në të djathtë. Ndërkohë, burimi më premtues i dinamizmit të ri ekonomik, inteligjenca artificiale, ka gjasa të rrisë pabarazinë dhe paqëndrueshmërinë shoqërore, duke minuar më tej besimin në demokraci dhe duke përshpejtuar rrëshqitjen drejt një bote me përfitime zero.
Ngjarjet e vitit të kaluar e kanë zgjuar botën demokratike nga apatia, por janë këto forca më të fuqishme dhe më të ngadalta ato që duhet të na shqetësojnë vërtet. Trump mund të zhduket nga skena pas disa vitesh, por pritshmëria se rendi liberal do të rikthehet menjëherë bie ndesh me provat. Sistemi i vjetër funksiononte nën një grup kushtesh të caktuara. Këto kushte nuk ekzistojnë më. / Financial Times – Syri.net