Kush ishin katarët, grupi fetar që guxoi të sfidonte Kishën Katolike
Në fillim të shekullit XIII, Europa përjetoi rritjen e disa komuniteteve të krishtera disidente, mes tyre katarët dhe valdezët, të përhapur në rajone të ndryshme. Këto lëvizje vinin në dyshim elemente themelore të doktrinës katolike, si vlefshmëria e sakramenteve dhe roli i Kishës në shpëtimin e shpirtit. Ata besonin se Kisha ishte larguar nga ideali i krishterë dhe kërkonin një kthim te varfëria ungjillore. Para krijimit të Inkuizicionit, Kisha përpiqej ta zgjidhte këtë përçarje përmes debateve publike, me shpresën për t'i rikthyer disidentët në "besimin e vërtetë".
Kryqëzata albigensiane
Trazirat fetare u shoqëruan me paqëndrueshmëri politike, veçanërisht në Okcitaninë e Francës jugore, ku kurora franceze nuk kishte autoritet të fortë. Kjo krijoi hapësirë për tolerancë fetare nga ana e fisnikëve dhe dobësoi ndikimin e Kishës. Disa figura të rëndësishme fisnike, si vikonti i Karasonës dhe kontët e Tuluzës e të Foix-së, mbështetën katarët. Papati reagoi me masa të ashpra: ligje që parashikonin ndëshkime të rënda për heretikët dhe thirrje drejtuar sundimtarëve për t'i dëbuar ata nga zotërimet e tyre.
Ndërhyrja e Inkuizicionit
Kryqëzata përfundoi në vitin 1229 me Traktatin e Meaux-Paris mes mbretit francez dhe Raymond VII të Tuluzës. Konti u detyrua të pranonte sovranitetin francez, të tërhiqte mbështetjen për vasalët e tij dhe të ndihmonte Kishën në luftën kundër herezisë. Ai financoi Fakultetin e Teologjisë në Universitetin e Tuluzës dhe institucionalizoi procedurat inkuizitore. Prej këtij momenti, katarët u përballën me një mjedis gjithnjë e më shtypës.
Fitorja e represionit
Kulmi i veprimtarisë inkuizitore u arrit në Tuluzë në vitet 1245–1246, kur mijëra burra e gra u thirrën për t'u marrë në pyetje mbi besimin e tyre dhe kontaktet me heretikët. Ata që këmbëngulnin në bindjet e tyre dënoheshin si heretikë, u konfiskohej pasuria dhe dorëzoheshin autoriteteve civile për t'u djegur në turrë.
Ringjallja dhe fundi i katarizmit
Në fillim të shekullit XIV, Pierre Authier nga Foix udhëtoi në Lombardi, u konvertua dhe u kthye për të ringjallur katarizmin në Okcitani. Suksesi i tij çoi në hetime masive në fshatin Montaillou në vitet 1308 dhe 1320. Pas vdekjes së Authierit, lëvizja u shpërbë. Disa katarë u arratisën në Spanjë, mes tyre Guillaume Bélibaste, katar i fundit "perfectus". Ai u tradhtua, u kap dhe me 24 gusht 1321 u dogj i gjallë, pa hequr dorë nga besimi i tij.