Rama në Izrael, media italiane plas skandalin: Mashtrimi kriminal me call-centerat bëhej pranë ambasadës izraelite

Nga Alba Kepi

Ndërsa Edi Rama udhëtonte drejt Izraelit për një vizitë zyrtare pune, në të njëjtën kohë emisioni investigativ “Le Iene” po zbardhte një skandal me përmasa ndërkombëtare zhvilluar pranë zyrave diplomatike të Ambasadës izraelite në Tiranë.

Investigimi tregoi se në të njëjtën ndërtesë ku Ambasada e Izraelit ka selinë e saj, në kullën “4 Ever Green Tower”, operonte edhe një kompani shqiptare e përfshirë në veprimtari kriminale.

Kjo kompani, përmes një rrjeti call center-ash, mashtronte mijëra klientë nga e gjithë bota duke i joshur me investime të rreme në “trading online”dhe kriptovaluta e riciklime kapitalesh të pista. 

Sipas hetimeve, qarkullimi financiar i kësaj skeme arrinte në 20–30 milionë euro në muaj fitim në muaj.

Ky fakt tregon qartë jo vetëm sofistikimin dhe cinizmin e kësaj organizate kriminale, por edhe dështimin e institucioneve shqiptare, të cilat kanë lejuar që një aktivitet i tillë të zhvillohet pranë zyrave diplomatike të një shteti të fuqishëm dhe me peshë të madhe në gjeopolitikën botërore si Izraeli.

SPAK arriti të godasë një rrjet të mirëorganizuar që ngrinte skema fiktive investimesh dhe mashtronte mijëra qytetarë europianë. Rrjeti përfitonte dhjetëra miliona euro çdo muaj falë call center-ave të koordinuar në disa vende të Europës, me bazë operative në Shqipëri. Gazetari investigativ Luigi Pelazza ndoqi nga afër operacionin dhe, me ndihmën e një bashkëpunëtori të infiltruar, dokumentoi nga brenda prapaskenat e kësaj mashtrimi ndërkombëtar.

Një javë pas puntatës së fundit, “Le Iene” iu rikthye investigimit, duke zbuluar se viktimat e kësaj skeme nuk ishin vetëm qytetarë italianë, por edhe spanjollë, francezë dhe gjermanë. Mashtrimi realizohej përmes investimeve fiktive, kriptovalutave dhe mekanizmave të riciklimit të parave.

Puntata e radhës nxori në pah një fakt edhe më shqetësues: vendndodhja e bazës së kësaj organizate kriminale e kishte vështirësuar jashtëzakonisht ndërhyrjen e SPAK-ut, operacion që drejtohej nga prokurori Vladimir Mara.

Këtu video e emisionit

Aktivizimi i protokolleve të sigurisë së Ambasadës së Izraelit mund të kishte bllokuar ndërhyrjen dhe të ndalonte veprimin e forcave të policisë shqiptare në një zonë ku ndodhet territor diplomatik i huaj.

Në pamjet e transmetuara nga “Le Iene” shfaqet faza finale e operacionit: në momentin kur forcat e SPAK-ut mbërritën në zyrat e call center-it, gjithçka ishte zhdukur. Një sallë bosh, pa njerëz, pa kompjuterë, pa dokumente. Në pranga përfundoi menaxheri i kompanisë, Carlo, së bashku me disa persona të tjerë.

Megjithatë, më shumë se një javë pas këtij operacioni, në Shqipëri mbizotëron heshtja totale.

Kush e dekonspiroi operacionin?
Askush nuk pyet. Dhe ndoshta, as nuk pritet një përgjigje.