Optimizmi i Allegri-t: Na vjen keq për penalltinë, por morëm një pikë të çmuar

Massimiliano Allegri e analizoi me qetësi barazimin e Milanit në “Olimpico”, duke preferuar të shohë anën pozitive të një ndeshjeje të vështirë. Trajneri kuqezi vlerësoi nisjen e mirë të ekipit, por pranoi se më pas ritmi ndryshoi. “Filluam mirë 6–7 minutat e para, pastaj Roma u rrit dhe ne gabuam në menaxhimin e topit. Në atë fazë, Maignan ishte vendimtar dhe na mbajti në lojë”, u shpreh Allegri.

Sipas tij, pjesa e dytë tregoi një Milan më të qartë në ide dhe më të saktë teknikisht. Pas golit të avantazhit, skuadra besoi realisht se mund ta fitonte takimin. “Pastaj erdhi një episod, që në futboll mund të ndodhë gjithmonë”, shtoi ai, duke iu referuar penalltisë së akorduar kundër skuadrës së tij.

Megjithatë, Allegri theksoi rëndësinë e rezultatit në kontekstin e renditjes. “Pavarësisht shkëputjes së Interit, ne fituam një pikë përballë Napolit dhe mbajtëm Romën pas nesh. Të barazosh 1-1 në Romë, në këtë moment të sezonit, është shumë e rëndësishme”, nënvizoi trajneri i Milanit.

Ai u kthye edhe një herë te momenti kyç i ndeshjes: “Edhe pas 1-0, ndjesia ishte se kishim më shumë shanse të shkonim në 2-0 sesa ta pësonim barazimin”.

Sa i përket repartit ofensiv, ku Leao dhe Nkunku patën vështirësi, Allegri ishte i qartë: “Të katërt janë lojtarë shumë të rëndësishëm. Në momentin e zëvendësimeve po rriteshin, por më duhej energjia dhe ‘egërsia’ e Pulisic-it për ta mbyllur ndeshjen. Pastaj, si gjithmonë, unë mendoj një gjë dhe ndodh një tjetër…”.