Surprizë në Oklahoma, Detroit vijon kryesimin; fitojnë edhe Warriors e Miami, dy sfida pezullohen nga moti
Nata e fundit e NBA-së solli rezultate interesante dhe jo pak surpriza. Kampionët e Oklahoma City pësuan një humbje të papritur në fushën e tyre, duke u mposhtur 103-101 nga Toronto, në një ndeshje të ekuilibruar deri në sekondat e fundit. Skuadra kanadeze pati një paraqitje shumë kolektive, me të gjithë titullarët që realizuan mbi 10 pikë; Immanuel Quickley ishte më i miri me 23 pikë. Në krahun tjetër, 24 pikët e Shai Gilgeous-Alexander nuk mjaftuan për të shmangur humbjen.
Fitore jashtë fushe morën edhe Golden State Warriors, që dominuan Minnesota Timberwolves me rezultatin 111-85, falë një performance solide të Stephen Curry-t, autor i 26 pikëve. Detroit Pistons vazhduan formën e shkëlqyer dhe ruajtën kryesimin në Konferencën e Lindjes, duke mposhtur bindshëm Sacramento Kings 139-116; Cade Cunningham udhëhoqi Pistons me 29 pikë.
Fitore të rëndësishme morën edhe Miami Heat, që fituan 111-102 në fushën e Phoenix Suns. Për Miami-n u dalluan Bam Adebayo me 22 pikë dhe Jaime Jaquez Jr. me 20. Një tjetër fitore e thellë erdhi nga LA Clippers, që triumfuan 126-89 ndaj Brooklyn Nets, me Kawhi Leonard protagonist me 28 pikë, sukses i rëndësishëm në garën për zonën “play-in”.
Dy ndeshje të programuara për këtë natë, Milwaukee–Dallas dhe Memphis–Denver, u shtynë për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike.
Rezultatet:
Detroit – Sacramento 139-116
Minnesota – Golden State 85-111
Oklahoma – Toronto 101-103
San Antonio – New Orleans 95-104
Phoenix – Miami 102-111
Clippers – Brooklyn 126-89
Milwaukee – Dallas (e shtyrë)
Memphis – Denver (e shtyrë)