Nisje katastrofike për Tavenot, Endrick shpërthen me tregolësh për Lyonin

Nisja e sezonit për Benoît Tavenot te Metz ka qenë një makth, pasi ekipi i tij u mposht 5-2 në shtëpi nga Lyoni në Ligue 1. I huazuar nga Real Madrid, Endrick shënoi tregolëshin e parër të tij dhe udhëhoqi Lyonin drejt fitores së tetë radhazi në të gjitha kompeticionet.

Metz kishte nevojë për përforcim në mbrojtje, pasi përpara kësaj ndeshjeje ata kishin pësuar më shumë gola për ndeshje se çdo ekip tjetër në pesë ligat kryesore europiane (2.2 gola për ndeshje). Por problemi u bë i dukshëm që në pjesën e parë. Lyon kaloi në avantazh në minutën e 11-të, kur kapiteni Corentin Tolisso dha një pasim të gjatë për Endrick, i cili shënoi golin e tij të parë në Ligue 1. Pesë minuta më vonë, Ruben Kluivert dyfishoi avantazhin me golin e tij të parë në ligë pas një krosimi të Khalis Merah.

Lyon vazhdoi të dominonte dhe Tyler Morton shënoi golin e tretë me një goditje të fuqishme nga jashtë zonës, ndërsa Metz ngushtoi diferencën me golin e Koffi Kouao.

Megjithatë, Endrick riktheu avantazhin prej  tre golash në kohën shtesë të pjesës së parë, duke kaluar mbrojtjen e Metz dhe duke shënuar përmes këmbëve të portierit Fischer.

Në pjesën e dytë, Habib Diallo shënoi për Metz, duke ngushtuar rezultatin, por 19-vjeçari Endrick vulosi ‘hat-trick’-un e tij pas një penalltie të fituar vonë, duke konfirmuar fitoren e Lyonit dhe duke dënuar Metz me humbjen e katërt radhazi në shtëpi në të gjitha kompeticionet.