Përplasje në autostradën A1 mes tifozëve të Napolit dhe Lazios, policia ndalon 80 persona
Një episod i rëndë dhune ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në autostradën A1, ku janë përfshirë tifozë të Napolit dhe të Lazios. Sipas autoriteteve italiane, përplasja ka ndodhur pranë zonës së Frosinones, në korsinë veriore të autostradës, duke sjellë edhe bllokimin e përkohshëm të qarkullimit për disa minuta.
Tifozët e Napolit ishin në udhëtim drejt Torinos, ndërsa grupi i tifozëve të Lazios po kthehej nga transferta e Leçes. Dy grupet janë përballur përgjatë autostradës, ku shumë prej pjesëmarrësve, me fytyra të mbuluara, ishim të armatosur me shkopinj dhe mjete të forta. Në vendngjarje ndërhynë menjëherë Policia e Shtetit dhe Policia Rrugore për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës.
Rreth 80 tifozë të Lazios u ndaluan dhe u identifikuan në dalje të Monte Porzio Catone, me mbështetjen edhe të Policisë Shkencore. Ata udhëtonin me furgonë dhe automjete private dhe u bllokuan pasi autoritetet kishin marrë njoftimin për kontaktin e dhunshëm me ultrasit e Napolit. Gjatë kontrollit, nga një prej furgonëve u hodhën mjete të rrezikshme dhe thika kuzhine, të cilat u sekuestruan menjëherë.
Gjithashtu, tifozë të tjerë bardhekaltër, që udhëtonin me autobus, u ndaluan në zonën e “Piazza Don Bosco”, ku u gjetën prerëse, fishekzjarrë, helmeta dhe shufra metalike. Të gjithë materialet u sekuestruan, ndërsa personat e përfshirë u shoqëruan në komisariat.
Pozicioni i secilit tifoz do të vlerësohet individualisht dhe nuk përjashtohet vendosja e masave ndëshkuese, përfshirë edhe ndalimin e hyrjes në stadiume (Daspo).