Vendos goli i Fadera-s, Sassuolo rikthehet te fitorja
Sassuolo rikthehet te fitorja pas më shumë se një muaji, duke mposhtur minimalisht 1–0 Cremonese-n në ndeshjen e drekws sw javës së 22-të të Serie A. Tri pikët për skuadrën zijeshile erdhën falë një goli të shënuar që në minutën e 3-të nga Fadera, duke i dhënë fund një serie negative që zgjaste nga 6 dhjetori.
Goli vendimtar u realizua pas një gabimi të portierit Audero, i cili nuk arriti të kontrollonte si duhet goditjen e Laurienté, ndërsa Fadera ishte i vëmendshëm dhe e dërgoi topin në rrjetë. Cremonese reagoi menjëherë, fillimisht me Vardy, por Muric u tregua i saktë me këmbë, ndërsa më pas Bonazzoli provoi me një goditje që u devijua në këndore.
Sassuolo pati mundësi të dyfishonte në minutën e 38-të, por Laurienté humbi momentin e duhur në kundërsulm. Në pjesën e dytë, trajneri Nicola hodhi në fushë Johnsen, i cili u shfaq rrezikshëm që në aksionet e para. Ndërkohë, për Sassuolon u rikthye edhe Domenico Berardi pas dy muajsh mungesë për shkak dëmtimi.
Në minutën e 70-të, Audero shpëtoi Cremonese-n me një pritje spektakolare nga goditja e dënimit e Laurienté, ndërsa Doig ishte pranë golit me një goditje që preku traversën. Në minutat shtesë, Bonazzoli humbi shansin e artë për barazim.
Me këtë fitore, Sassuolo ngjitet në kuotën e 26 pikëve, ndërsa Cremonese mbetet në 23.