Media ndërkombëtare/ Protesta kundër korrupsionit 'tronditi kryeqytetin', opozita kërkon dorëheqjen e qeverisë
Mijëra qytetarë u mblodhën në Tiranë në një protestë të organizuar nga opozita, duke shprehur revoltën ndaj korrupsionit dhe qeverisjes aktuale. Demonstrata u zhvillua përpara institucioneve kryesore shtetërore dhe Parlamentit, me kërkesën kryesore dorëheqjen e qeverisë pas akuzave për korrupsion ndaj zëvendëskryeministres.
Protestuesit mbanin pankarta me mesazhe si “Shqipëria, shtet njëpartiak” dhe “Ku kanë shkuar fondet e BE-së?”, duke denoncuar kapjen e shtetit, mungesën e transparencës dhe keqmenaxhimin e fondeve publike.
LEXO EDHE: 'Balluku e dyshuar për korrupsion, kërkohet dorëheqja Ramës'- Mediat e huaja jehonë tubimit të PD!
Sipas raportimeve, tensionet u rritën ndjeshëm pas përballjes së protestuesve me forcat e shumta të policisë të vendosura përreth Kryeministrisë dhe institucioneve të tjera.
Autoritetet angazhuan rreth 1,350 efektivë policie, ngritën barriera metalike dhe përdorën topa uji për shpërndarjen e turmës, çka u konsiderua nga opozita si reagim i tepruar dhe përpjekje për të shtypur zërin e qytetarëve. Përplasjet dhe përdorimi i mjeteve të forta nga policia e përshkallëzuan situatën, duke krijuar kaos dhe tension në kryeqytet.
Ngjarjet kanë marrë vëmendjen e mediave ndërkombëtare, të cilat raportojnë për një krizë të thellë politike dhe sociale në Shqipëri. Opozita deklaron se protestat do të vazhdojnë deri në rikthimin e demokracisë, transparencës dhe përgjegjshmërisë në qeverisje.